Wednesday, November 4, 2026
HomeLajmeKosovëUNICEF alarmon: 10% e nxënësve në Kosovë raportojnë se kanë tentuar vetëvrasjen

UNICEF alarmon: 10% e nxënësve në Kosovë raportojnë se kanë tentuar vetëvrasjen

Një në dhjetë nxënës të moshës 15 dhe 16-vjeçare në Kosovë ka raportuar se ka tentuar t’i japë fund jetës, sipas të dhënave të prezantuara nga UNICEF-i. Përqindja e rasteve të raportuara është rritur nga 3.4 për qind në vitin 2011 në 10 për qind në vitin 2024.

Të dhënat janë bërë publike nga udhëheqësja globale e UNICEF-it për shëndetin mendor, Zeinab Hijazi, gjatë një diskutimi mbi gjendjen e shëndetit mendor te fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.

Duke folur për sfidat me të cilat përballen adoleshentët, Hijazi ka theksuar se shqetësimet psikologjike nuk mund të kuptohen vetëm përmes diagnozave, pasi edhe të rinjtë që nuk kanë një diagnozë mund të përjetojnë vështirësi serioze emocionale.

“Një i ri pa diagnozë mund të jetë duke përjetuar shqetësime të konsiderueshme, ndërkohë që vazhdon të ndjekë shkollën dhe duket se po ia del mbanë”, ka deklaruar ajo.

Sipas përfaqësueses së UNICEF-it, shëndeti mendor i të rinjve ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë kushtet ekonomike, marrëdhëniet shoqërore dhe ambientin ku ata rriten.

Ajo ka veçuar varfërinë, pabarazinë, dhunën, diskriminimin dhe mungesën e ndjenjës së përkatësisë si disa prej faktorëve që mund të ndikojnë në mirëqenien psikologjike.

“Vuajtja psikologjike nuk vjen vetëm nga brenda një personi, por edhe nga kushtet në të cilat njerëzit rriten dhe jetojnë, përfshirë varfërinë, pabarazinë, dhunën, diskriminimin dhe mungesën e ndjenjës së përkatësisë dhe mundësive”, ka thënë Hijazi.

Ajo ka rikujtuar gjithashtu përmasat globale të problemit, duke theksuar se më shumë se një miliard njerëz në botë jetojnë me një gjendje të shëndetit mendor, ndërsa rreth një në shtatë adoleshentë të moshës 10 deri në 19 vjeç përjeton një çrregullim mendor.

Në këtë kontekst, Hijazi ka nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së hershme për të rinjtë dhe nevojën për të rritur investimet në shërbimet e shëndetit mendor.

Ajo ka kërkuar që institucionet të mos përqendrohen vetëm në identifikimin e personave që kanë nevojë për ndihmë, por edhe në vlerësimin e qasjes së tyre në shërbime dhe efektivitetin e mbështetjes që marrin.

Rritja e përqindjes së raportuar nga 3.4 në 10 për qind brenda 13 vjetësh e vendos shëndetin mendor të nxënësve në Kosovë në qendër të vëmendjes dhe nënvizon rëndësinë e masave konkrete për mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram