Komisioni vlerëson se Kosova ka një nivel të caktuar përgatitjeje në lirinë e shprehjes dhe ka bërë progres të kufizuar. Për transmetuesin publik, raporti thotë se periudha u karakterizua nga një krizë e thellë financiare e shkaktuar nga bllokada institucionale.
Sipas raportit, ajo u lehtësua pjesërisht pas konstituimit të Kuvendit në shkurt 2026, por nuk pati asnjë progres në krijimin e një modeli afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur financimi. Buxheti i RTK-së nuk është i përafruar as me ligjin në fuqi, as me inflacionin.
Pas ndarjes së buxhetit për gjashtëmujorin e parë të 2026-s, RTK u detyrua të paguajë interes për huanë qeveritare prej 2,7 milionë eurosh, me të cilën kishte mbijetuar nga korriku deri në tetor 2025.
Së bashku me kërkesat për ekzekutim borxhesh dhe pagesën e urdhëruar nga gjykata prej 0,95 milionë eurosh, gjendja financiare përshkruhet si e rëndë, e përkeqësuar nga mosmarrëveshjet e brendshme dhe paqëndrueshmëria drejtuese. Rreth 75% e buxhetit shkon për paga. Ndërtesa në të cilën punon RTK është në gjendje shumë të keqe dhe nuk është pronë e saj.
Në prill 2026, Kuvendi zgjodhi gjashtë nga tetë anëtarët e munguar të Bordit të RTK-së, si dhe të gjashtë anëtarët e munguar të Komisionit të Pavarur të Mediave, kështu që të dy bordet u bënë funksionale. Mbeten katër vende vakante në Bordin e RTK-së, përfshirë një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.
Në korrik, Bordi emëroi Drejtor të ri të Përgjithshëm, por pozitat e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, dy drejtorëve dhe Kryeredaktorit vazhdojnë të mbahen me ushtrim detyre.
Ligji i ri për RTK-në dhe ai për mbrojtjen e burimeve gazetareske ende nuk janë miratuar. Ligji për KPM-në u anulua nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa Bordi i Apelit të KPM-së nuk ka kuorum që nga nëntori 2023.
Gazetarët hasin ende vonesa në qasjen te dokumentet publike. Komisioni rekomandon që Kosova të miratojë ligj të ri për KPM-në, të rishikojë ligjin për RTK-në për financim të qëndrueshëm dhe të ofrojë financim në përputhje me ligjin aktual, me qëllim të ruajtjes së pavarësisë së transmetuesit publik.

