Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, i është kundërpërgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, lidhur me akuzat për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në Qeveri.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Kusari-Lila i kërkoi Tahirit që akuzat e tij t’i konkretizojë dhe të përmendë emra e raste konkrete.
Ajo kundërshtoi edhe deklaratën e Tahirit se shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e opozitës. Sipas saj, një pjesë e tyre kanë pasur përvojë në opozitën parlamentare ose në shoqërinë civile.
Duke iu referuar akuzave për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, ministrja tha se deklaratat e përgjithshme, pa fakte dhe pa emra konkretë, nuk janë të drejta.
Në anën tjetër, Tahiri insistoi se ka raste konkrete të punësimeve në institucione dhe paralajmëroi se do t’i bëjë publike emrat.
“Ju keni person me aktakuzë në ministrinë e juaj, kundërligjshëm e mbani. Pse e mbani?”, tha ai.
Pas kësaj deklarate, Kusari-Lila reagoi sërish nga foltorja, duke kundërshtuar pretendimet e Tahirit dhe duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Edhe unë iu referova deklarimit të tij, por ai më kujtoi se unë paskam qenë vetëm një herë në opozitë. Në fakt, kam qenë në opozitë ndaj qeverisë suaj gjatë periudhës 2017-2020, si dhe në vitin 2020, nga mesi i vitit, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1. Kemi qenë bashkë, por nuk është çështja se kush ka më shumë përvojë në opozitë. Çështja është deklarimi yt i gabuar që në fillim. Ti the: ‘Shikoni këta, nuk e dinë çfarë është opozita’. Ky është një pretendim i pavërtetë, një deklarim i pavërtetë, sepse nuk ishte as fakt. Sa u përket pjesëve të tjera, sërish po përgjithëson. Fol me raste konkrete dhe do t’i diskutojmë ato në mënyrë specifike. Po hedh akuza të përgjithësuara, ty po të kundërargumentohen me vetë suksesin e qeverisë ose me fitoren e Vetëvendosjes”, theksoi Kusari-Lila

