Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka dënuar sulmin ndaj gjyqtares së Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Qëndresa Sejdiu, i ndodhur pasditen e 4 nëntorit në fshatin Sadovinë e Jerlive të Vitisë.
Në reagimin e tij, KGJK e ka cilësuar të papranueshëm dhe të patolerueshëm çdo sulm ndaj gjyqtarëve, duke theksuar se akte të tilla përbëjnë sulm ndaj sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Këshilli ka shprehur mbështetje për gjyqtarët në ushtrimin e detyrave të tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale.
Njëkohësisht, KGJK u ka bërë thirrje organeve kompetente që ta hetojnë menjëherë rastin dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për garantimin e mbrojtjes dhe sigurisë së gjyqtarëve.

