Monday, November 9, 2026
HomeEkonomiHapen ofertat për ankandin e energjisë së erës në Kosovë

Hapen ofertat për ankandin e energjisë së erës në Kosovë

Ministria e Ekonomisë ka hapur publikisht ofertat financiare të ankandit të parë konkurrues për energjinë e erës në Kosovë, përmes të cilit synohet ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese prej 50 deri në 100 megavat (MW).

Në garën për realizimin e këtij projekti kanë mbetur dy ofertues, pasi komisioni vlerësues ka përfunduar shqyrtimin e dokumentacionit ligjor, financiar dhe teknik të kompanive pjesëmarrëse.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cilësoi këtë proces si një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të prodhimit vendor të energjisë elektrike, duke theksuar se përvoja nga ankandi paraprak për energjinë e ripërtëritshme ka ndihmuar në zhvillimin e këtij procesi.

“Mes tyre do të përcaktohet ofertuesi me çmimin më të ulët, ashtu siç jemi zotuar që përmes një procesi transparent dhe konkurrues t’u sigurojmë qytetarëve të Republikës së Kosovës çmimin më të mirë”, deklaroi Rizvanolli.

Ajo bëri të ditur se fillimisht ishin parakualifikuar tre ofertues, ndërsa në muajin shtator ishin pranuar tri oferta. Pas vlerësimit nga komisioni përkatës, vetëm dy kompani arritën të kalojnë në fazën e hapjes së ofertave financiare.

Sipas ministres, investimet në energjinë e erës kanë rëndësi të veçantë për sistemin energjetik të Kosovës, pasi prodhimi nga ky burim përputhet me periudhat kur kërkesa për energji është më e lartë.

“Profili i prodhimit nga era përputhet mirë me kërkesën tonë më të lartë për energji gjatë muajve të ftohtë dhe në orët e mbrëmjes. Prandaj, projektet e tilla janë veçanërisht të rëndësishme për sistemin elektroenergjetik të Kosovës”, tha Rizvanolli.

Ajo përmendi edhe zgjerimin e kapaciteteve të tjera të energjisë së ripërtëritshme, duke bërë të ditur se në shtator janë pranuar edhe 70 MW të reja të energjisë së erës në Zatriq.

Rizvanolli paralajmëroi gjithashtu se në javët ose muajt e ardhshëm pritet të nisë një tjetër rund i ankandit për energjinë e erës, me kapacitet deri në 200 MW.

“Në vijim, gjatë javëve ose muajve të ardhshëm, do të vazhdojmë menjëherë me hapjen e rundit të ri të ankandit të erës, me deri në 200 MW të tjera. Pra, së bashku me këtë ankand, bëhet fjalë për deri në 300 MW energji nga era”, theksoi ministrja.

Ndërkohë, kryesuesja e Komisionit vlerësues, Arbëresha Isufi, sqaroi se hapja e ofertave financiare është zhvilluar në përputhje me kërkesat e përcaktuara në dokumentacionin e ankandit dhe legjislacionin në fuqi.

Ajo nënvizoi se vlerësimi i dokumentacionit ligjor dhe propozimeve teknike ka përfunduar, ndërsa në këtë fazë janë bërë publike vetëm ofertat e kompanive që janë vlerësuar si të përgjegjshme.

“Vlerësimi i kushteve ligjore dhe i propozimeve teknike ka përfunduar. Në përputhje me KPP-në, sot do të hapen vetëm ofertat financiare të ofertuesve të përcaktuar si ofertues të përgjegjshëm”, deklaroi Isufi.

Sipas saj, qëllimi i ceremonisë ishte hapja publike e ofertave dhe prezantimi i informatave që kërkohen nga dokumentacioni i procedurës, ndërsa të gjitha zhvillimet do të pasqyrohen në procesverbalin zyrtar.

Përmes këtij ankandi, institucionet synojnë të sigurojnë kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme, të rrisin prodhimin vendor dhe të zvogëlojnë varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram