Pas diskutimeve, Komisioni për Buxhet ka miratuar në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027.Projektbuxheti 4.27 miliardë mori gjashtë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Murati prezanton projektbuxhetin 4.2 miliardë euro për 2027, opozita e kritikon
Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2027, në vlerë prej mbi 4.2 miliardë eurosh, ka nxitur diskutime në Komision, ku ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka prezantuar si planifikim që mbështetet në rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë fiskale, ndërsa opozita ka ngritur shqetësime për realizimin e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar para Komisionit projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh.
Sipas Muratit, buxheti është hartuar duke marrë parasysh pritjet për rritje ekonomike, shtimin e të hyrave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike.
Ai bëri të ditur se të hyrat buxhetore parashihen të arrijnë në rreth 4 miliardë e 2 milionë euro, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve do të mbulohet përmes financimit të deficitit.
“Bëhet fjalë për një buxhet prej 4 miliardë e 268.7 milionë euro në anën e shpenzimeve buxhetore”, deklaroi Murati.
Deficiti buxhetor për vitin 2027 është planifikuar në nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, i cili vlerësohet në 13.3 miliardë euro. Nevoja për financim, sipas ministrit, arrin në 266 milionë euro.
Sa i përket ndarjeve sipas kategorive ekonomike, për paga dhe mëditje janë planifikuar 1 miliard e 84.9 milionë euro, për mallra dhe shërbime 588 milionë euro, ndërsa për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro.
Për investime kapitale janë paraparë 1 miliard e 70 milionë euro, ndërsa 55 milionë euro janë ndarë për pagesën e interesit të borxhit publik dhe 11.9 milionë euro për rezervën rrjedhëse.
Murati theksoi se nga viti 2027 investimet kapitale nuk do të financohen më përmes klauzolës së investimeve, por do të përfshihen brenda kufirit të deficitit prej 2 për qind.
“E gjithë shuma e investimeve kapitale të parapara është e financuar nga granti buxhetor, por edhe nga deficiti, dhe e gjitha pra përfshihet në kuadër të 2% deficitit të paraparë sipas rregullës fiskale”, tha ai.
Opozita kritikon nivelin e realizimit të investimeve
Përfaqësuesit e opozitës kanë hedhur akuza të rënda për mungesë të orientimit strategjik dhe dështim në realizimin e projekteve, ndërsa Ministria e Financave është mbrojtur duke thënë se problemet janë të trashëguara ndër vite.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ngriti shqetësime të mëdha për realizimin e investimeve kapitale, duke argumentuar se planifikimi i shumave të mëdha nuk po shoqërohet me shpenzimin e tyre. Ai iu referua raportit të Institutit GAP për periudhën 2021-2024.
“Madje në disa raporte, siç është ai raporti i GAP-it 2021-2024, mbi 1 miliard euro nuk janë shpenzuar në investimet e planifikuara”, deklaroi Lushtaku.
Sipas tij, ky mosrealizim ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, duke u reflektuar në mungesë të rrugëve, urave, shkollave dhe objekteve të tjera publike. Lushtaku vuri në pikëpyetje edhe ndikimin real të rritjes nominale të buxhetit karshi inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës.
Kritika adresoi edhe anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti. Ai theksoi se qeveria ua merr qytetarëve dhe bizneseve rreth 32% të të ardhurave kombëtare për vitin e ardhshëm, andaj këto mjete duhet të kthehen në ekonomi me efekte konkrete.
“Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik. Edhe unë jam munduar me e pa atë pjesën e analizës tekstuale që është në fund të këtij dokumenti të madh, me pa sesa në aspektin strategjik qeveria e ka planifikuar këtë dokument të buxhetit për vitin 2027 edhe vitet e ardhshme”, u shpreh Hoti.
Hoti kritikoi qeverinë se nuk ka fokus ruajtjen e fuqisë blerëse te pagat dhe pensionet, si dhe pyeti për konceptin strategjik në infrastrukturë dhe shëndetësi:
“Ne kot mund të thonë që në spitalet tona publike shëndetësia është falas, por 40% e shpenzimeve që i kanë mesatarisht secila familje për shëndetësi i paguajnë vetë”, tha ai.
Hoti kërkoi që premtimet e dhëna në programin qeverisës më 13 shtator 2026 të pasqyrohen në këtë buxhet trevjeçar (2027-2029): “Premtimet e dhëna me 13 shtator 2026 në seancën e kuvendit duhet të jenë 99% të reflektuara në këtë dokument. Po cilat janë ato?”
Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke iu përgjigjur kritikave për investimet kapitale, tha se ky problem nuk lidhet vetëm me qeverisjen aktuale.
“Sa i përket ekzekutimit të projekteve kapitale, është një situatë kronike, nuk është vetëm në këtë vit, apo në disa prej viteve paraprake”, deklaroi Murati.
Murati përmendi kapacitetet zbatuese të institucioneve dhe procedurat si faktorë ndikues. Ndërsa për rritjen e kostos së jetesës, ai u arsyetua me zhvillimet ndërkombëtare, si lufta në Ukrainë dhe konflikti në Gjirin Persik:
“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës”, tha ministri.
Lidhur me premtimet e programit, Murati tha se mandati zgjat deri në vitin 2030 dhe se projektet si programi i garancisë prej 1 miliard eurosh për prodhim nuk janë çështje buxhetore, por do të procedohen përmes projektligjit për garancitë sovrane.
Debati u tensionua kur Murati pretendoi se në vitin 2021 Hoti kishte vënë në dyshim realizimin e shtesave për fëmijë sepse nuk ishin në buxhet: “Kësisoj, konkludimi i tij pat qenë se këto nuk do të bëhen, nëse mund t’ju citoj saktë”, tha Murati.
Ky pretendim solli reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të Hotit.
“Kurrë nuk mund të më citosh. Çka të flet ti e shtrembëron”, ndërpreu Hoti.
Në fund, ministri Murati ftoi deputetët që pyetjet për projekte specifike t’i diskutojnë nëpër komisionet përkatëse me ministrat e linjës, pasi ai mund të flasë vetëm për tërësinë buxhetore, dhe kërkoi që projektligji të procedohet tutje si një planifikim me nivel rekord të të hyrave dhe shpenzimeve.

