Një 26-vjeçare ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, pasi ishte ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në trafikim të narkotikëve. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës dhe Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” kanë publikuar komunikata zyrtare, në të cilat kanë dhënë detaje për ndalimin, trajtimin mjekësor dhe vdekjen e saj.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prizren, rasti ka ndodhur më 15 nëntor, rreth orës 18:00, në Vërmicë, ku është ndaluar një veturë e tipit BMW, me të cilën udhëtonin dy persona, një mashkull dhe një femër, shtetas të Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë.
Në komunikatë thuhet se, me urdhër të prokurorit kompetent, është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit mashkull, ku është gjetur dhe konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS-ve dhe kamerave.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të 26-vjeçares, Policia ka njoftuar se gjatë fillimit të intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, asaj i është përkeqësuar gjendja.
“E dyshuara femër kosovare, përderisa ka qenë duke filluar intervistimi me prezencë të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren”, thuhet në komunikatën e Policisë dhe Prokurorisë.
Sipas të njëjtit njoftim, pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore, ajo është transportuar në spital për trajtim të mëtejshëm.
“Rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, burime brenda Policisë kanë thënë për RTKLive se të dy personat e ndaluar janë të njohur për organet e rendit.
Sipas këtyre burimeve, personi mashkull i arrestuar dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në disa vepra të tjera penale, ndërsa edhe 26-vjeçarja që ka ndërruar jetë, sipas të njëjtave burime, kishte të kaluar me vepra penale.
Ndërkaq, Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, në një njoftim të veçantë, ka dhënë detaje për pranimin dhe trajtimin e pacientes.
Sipas spitalit, 26-vjeçarja është sjellë për herë të parë në Emergjencë rreth orës 19:00, nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se kishte gëlltitur një qese që dyshohej se përmbante substancë narkotike.
“Me rastin e pranimit, pacientes i janë kryer ekzaminimet e nevojshme diagnostike, përfshirë ekzaminimin radiologjik (RTG nativ të traktit torako-abdominal), ultrazërin e abdomenit, si dhe ekzaminimin gjinekologjik”, thuhet në komunikatën e spitalit.
Pas ekzaminimeve, sipas këtij institucioni shëndetësor, nuk janë evidentuar gjetje pozitive dhe pacientja ka qenë në gjendje stabile.
“Pacientja ka qenë në gjendje stabile shëndetësore dhe, pas vlerësimit mjekësor, është liruar nga emergjenca”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, rreth orës 00:45, e njëjta paciente është sjellë sërish në Emergjencë, këtë herë pa shenja vitale.
“Menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të reanimimit kardiopulmonar (RKP), si dhe është konsultuar mjeku anesteziolog. Pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra nga ekipi mjekësor, pacientja ka përfunduar me exitus letalis”, thuhet në komunikatën e spitalit.
Pas vdekjes së 26-vjeçares, në rast janë përfshirë njësitë hetimore të Policisë së Kosovës, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, Inspektorati Policor i Kosovës dhe prokurori kujdestar.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha njësitë kompetente, përfshirë Hetuesinë dhe Forenzikën, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Policisë dhe Prokurorisë.
Ndërkaq, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka shprehur keqardhje për rastin dhe ka theksuar gatishmërinë për bashkëpunim me organet kompetente.
“Institucioni ynë mbetet i gatshëm për bashkëpunim të plotë me organet kompetente dhe për ofrimin e të gjithë dokumentacionit dhe informacionit të nevojshëm për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në fund të komunikatës së spitalit.
Rrethanat e plota të vdekjes së 26-vjeçares pritet të sqarohen nga hetimet dhe ekspertizat mjekoligjore.

