Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm kohor, në rastin e një kontesti pronësor që ka nisur në vitin 1994 dhe ende nuk ka marrë epilog gjyqësor.
Në aktgjykimin për rastin KI10/26, të parashtruar nga Hysen Shala, Kushtetuesja ka konstatuar se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Komunale në Gjakovë kanë zgjatur në mënyrë të paarsyeshme procedurën për vërtetimin e pronësisë kundër KB Rugova.
Padia ishte paraqitur më 6 prill 1994 në Gjykatën Komunale në Gjakovë, ndërsa më 6 prill 2012 lënda ishte bartur për shqyrtim në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Deri në paraqitjen e kërkesës në Kushtetuese, për çështjen nuk ishte marrë ende vendim meritor.
Sipas Kushtetueses, procedura kishte zgjatur 17 vjet, gjashtë muaj e 24 ditë, pa përfshirë kohën e mëvonshme deri në vendosjen për kërkesën kushtetuese. Gjykata vlerësoi se kontesti nuk kishte ndërlikueshmëri të tillë që do ta justifikonte këtë vonesë dhe se parashtruesi nuk kishte kontribuar në zvarritjen e procedurës.
Për këtë arsye, Kushtetuesja njëzëri konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garantojnë të drejtën për gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme është urdhëruar të ndërmarrë hapat e nevojshëm për trajtimin me prioritet të kësaj lënde, ndërsa deri më 24 maj 2027 duhet ta informojë Gjykatën Kushtetuese për masat e ndërmarra në zbatimin e aktgjykimit.

