Tuesday, November 17, 2026
HomeLajmeKosovëAGK-ja kërkon tërheqjen e padisë së Grupit KOHA ndaj gazetares Shpresa Hasimi

AGK-ja kërkon tërheqjen e padisë së Grupit KOHA ndaj gazetares Shpresa Hasimi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë për padinë e ngritur nga Grupi KOHA ndaj gazetares Shpresa Hasimi, përmes së cilës kërkohet kompensim financiar prej 5 mijë eurosh për shkak të dorëheqjes së saj para përfundimit të një periudhe pesëvjeçare.

Sipas AGK-së, kjo periudhë ishte përcaktuar në një dokument të quajtur “Kontratë mbi Sponsorizimin e Trajnimeve Profesionale”.

“AGK-ja e konsideron këtë një veprim të paprecedentë dhe jashtëzakonisht shqetësues, veçanërisht duke pasur parasysh se padia është iniciuar nga një shtëpi mediatike ndaj një gazetareje ku ajo ka dhënë kontribut”, thuhet në reagim.

AGK-ja ka bërë të ditur se, sipas deklarimit publik të gazetares Hasimi, nënshkrimi i dokumentit ishte vendosur si kusht për punësim, pas një periudhe trajnimi dhe pune praktike pa kompensim financiar.

Sipas Asociacionit, praktika të tilla rrezikojnë të krijojnë një precedent të dëmshëm dhe pasiguri për profesionistët e medias, duke cenuar lirinë e tyre për të marrë vendime të pavarura lidhur me zhvillimin profesional dhe marrëdhëniet e punës.

“AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Shpresa Hasimi dhe do ta mbështesë atë me të gjitha kapacitetet e saj institucionale dhe profesionale”, thuhet në reagim.

AGK-ja ka njoftuar se përfaqësimi ligjor i gazetares po bëhet nga avokati Yll Zekaj, zyrtar ligjor i AGK-së, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit dhe pa paragjykuar epilogun e procesit gjyqësor, AGK-ja i bën thirrje Grupit KOHA që të tërhiqet nga padia ndaj gazetares Shpresa Hasimi, duke dëshmuar respektim të të drejtave të gazetarëve”, thuhet më tej në reagim.

AGK-ja ka theksuar se shtëpitë mediatike duhet të jenë shembull në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe krijimin e kushteve të drejta të punës, e jo të ndërmarrin veprime që mund të ushtrojnë presion financiar dhe profesional ndaj tyre.

Asociacioni ka bërë të ditur se do ta përcjellë nga afër këtë proces dhe do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në Kosovë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram