Rreth 1 vit pacientët presin për të kryer koronarografinë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK. Në listën e pritjes, sipas drejtorit të kësaj klinike, janë mbi 1 mijë e 200 pacientë. Klinika e arsyeton listën e gjatë me fluksin e madh të pacientëve. Kardiologët vlerësojnë se koronarografia është thelbësore për diagnostikimin dhe trajtimin në kohë të sëmundjeve të zemrës.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se administrimi i listave të pritjes është kompetencë e SHSKUK-së, ndërsa nga ky shërbim nuk janë deklaruar për këtë çështje.
Gati 1 vit, pacientët me probleme në zemër duhet të presin për ta bërë një koronarografi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Koronarografia nuk është thjesht një ekzaminim, por një procedurë që ndihmon në identifikimin e problemeve serioze të qarkullimit të gjakut në zemër. Andaj, vlerësohet e nevojshme që pacientëve t’u sigurohet trajtimi në kohën e duhur.
Listën e gjatë të pritjes, nga Klinika e Kardiologjisë e arsyetojnë me numrin e madh të pacientëve.
Drejtori i Klinikës, Faik Shatri, përmes telefonit i ka thënë RTK-së se 4 mijë e 600 pacientë gjatë këtij viti janë regjistruar për ta kryer këtë ekzaminim, prej të cilëve në listën e pritjes janë rreth 1 mijë e 200.
Shatri theksoi se para vitit 2026, lista e pritjes ka shkuar deri në 2 vite e gjysmë.
RTK-ja ka siguruar udhëzimet mjekësore nga një pacient i cili që në janar ishte udhëzuar për ta kryer koronarografinë.
Që nga atëherë, vazhdon të mbetet në listën e pritjes.
“Diku rreth 45% e tyre këto shërbime i kryejnë në sektorin privat. Mandej edhe një pjesë, rreth 35% e tyre, të cilët na thonë se s’kanë pasur financa, se do ta kisha kryer në sektorin privat. Listat e pritjes duhet me pasur një limit se sa guxojnë. Për shembull, koronarografia a është klinike për me pritur, klinikisht a është në rregull për me pritur një pacient një vit?”, tha Besim Kodra, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.
Në spitalet private, koronarografia kushton deri në 300 euro. Kardiologët tregojnë se numri i pacientëve me sëmundje të zemrës është rritur dhe se koronarografia është shumë e rëndësishme për trajtimin e tyre të mëtejshëm.
“Sëmundjet e zemrës janë në rritje e sipër. Patjetër se duhet t’i përmendim edhe faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës. Në mesin e tyre është faktikisht hipertensioni si sëmundje gjenerale që e ngarkon zemrën, mandej dislipidemitë apo rritja e kolesterolit në gjak, obeziteti, diabeti, edhe pirja e duhanit. Koronarografia është një metodë shumë, shumë e mirë për diagnostikim të enëve të gjakut të zemrës. Thashë, është metodë pak invazive, por megjithatë jep një pasqyrë shumë të mirë për gjendjen e enëve të gjakut të zemrës në atë kuptimin që shihet drejtpërdrejt edhe mundësia e intervenimit të drejtpërdrejtë në ato momente është shumë më e mirë”, theksoi Banush Gashi, kardiolog.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se administrimi i listave të pritjes është në kompetencë të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, derisa nga SHSKUK-ja nuk janë deklaruar për rastin.

