Një hapësirë në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, e ndarë për projekte arsimore dhe sociale, sot shfrytëzohet edhe nga një poliklinikë private. Komuna, e cila bashkëfinancoi objektin, thotë se menaxhimi është përgjegjësi e organizatës “Jetimat e Ballkanit”, por nuk sqaron kush e autorizoi veprimtarinë private shëndetësore. Drejtori i spitalit thotë se menaxhmenti nuk është konsultuar, ndërsa ekspertja e shëndetësisë, Saranda Ramaj, vlerëson se ky veprim cenon interesin publik.
Në një hapësirë brenda kompleksit të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, qytetarëve tash u ofrohen edhe shërbime nga një poliklinikë private. Por kjo hapësirë ishte ndarë për një tjetër qëllim: projekte arsimore dhe sociale.
Më 26 janar 2024, Bordi i SHSKUK-së kishte dhënë pëlqimin që Komunës së Gjilanit t’i jepeshin në shfrytëzim rreth 30 ari tokë. Projekti parashihte një qendër ditore për të moshuarit, kuzhinë popullore dhe bujtinë për studentë. Në përgjigjen për RTK-në, Komuna e Gjilanit konfirmon se ka bashkëfinancuar ndërtimin e objektit.
“Objekti në fjalë është realizuar përmes bashkëfinancimit nga Komuna e Gjilanit dhe organizata ‘Jetimat e Ballkanit’”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjilanit.
Por, kur pyetet për poliklinikën private, Komuna e drejton përgjegjësinë për menaxhimin te organizata “Jetimat e Ballkanit”.
“Menaxhimi dhe administrimi i objektit, përfshirë organizimin e aktiviteteve dhe funksionimin e qendrës, është në përgjegjësi të organizatës ‘Jetimat e Ballkanit’”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjilanit.
Komuna kërkon të bëhet dallim mes rolit të saj në bashkëfinancim dhe përgjegjësisë së organizatës për administrimin e mëtejshëm.
Ndërkaq, në përgjigjen me shkrim për RTK-në, Halil Kastrati ka konfirmuar se lokali i është dhënë me qira ordinancës. Sipas tij, të ardhurat synonin të ndihmonin në vetëfinancimin e objektit në Gjilan dhe mbulimin e shpenzimeve të funksionimit. Ai ka bërë të ditur se pasi çështja u bë publike, palët janë pajtuar për ndërprerjen e marrëveshjes.
“Ne jemi takuar me menaxhmentin e ordinancës dhe jemi dakorduar që ordinanca ta lirojë lokalin brenda tre muajve dhe që marrëveshja e qirasë të ndërpritet me pëlqimin e të dyja palëve”, tha ai.
Ndërkohë, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Afrim Cana, thotë se menaxhmenti nuk është konsultuar.
“Nuk dimë realisht se çfarë shërbimesh ofrohen këtu, por mendoj që veprimet e tilla nuk përçojnë mesazh të mirë. Kush mundet me na garantua neve që në të ardhmen ata nuk zgjerojnë shërbimet dhe të ofrojnë edhe shtretër aty”, tha ai.
Për eksperten e shëndetësisë, Saranda Ramaj, vendosja e një poliklinike me shërbime specialistike në pronën që dikur ishte e spitalit cenon interesin publik.
“E cenon pavarësinë, e cenon interesin publik dhe e cenon vetë institucionin publik shëndetësor”, tha ajo.
RTK-ja ka kërkuar sqarime edhe nga SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë. Deri në përgatitjen e kronikës, asnjëra nuk ka kthyer përgjigje.

