Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zgjedhur një mesazh simbolik për të uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që festohet sot, më 22 nëntor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka vlerësuar rolin e gjuhës shqipe dhe të alfabetit në ruajtjen e historisë kombëtare, duke i cilësuar shkronjat si një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen.
“Mirëmëngjes dhe në ditën e më të bukurave gërma, nën hijeshinë e së cilave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymon e ardhmja, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan kreu i qeverisë.
22 Nëntori shënon një nga datat më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, pasi përkujton përfundimin e Kongresit të Manastirit në vitin 1908, ku u hodhën bazat për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Në këtë kongres, të zhvilluar nga 14 deri më 22 nëntor, përfaqësues nga trevat shqiptare diskutuan dhe vendosën për një alfabet të përbashkët, duke i dhënë një drejtim të ri zhvillimit të gjuhës, arsimit dhe kulturës kombëtare.
Mbi një shekull më vonë, kjo datë vijon të mbetet simbol i bashkimit përmes gjuhës dhe i përpjekjeve të brezave për të ruajtur identitetin shqiptar.
Në Shqipëri, 22 Nëntori është shpallur festë zyrtare në vitin 2023 dhe përkujtohet nga shqiptarët edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporë.

