Sunday, November 22, 2026
HomeGjeopolitikOpinionRomët e Hogoshtit!

Romët e Hogoshtit!

Nga Zejdush Kastrati

Në katundin tim të lindjes, në Hogosht, deri në vitin 1999 kanë jetuar edhe disa familje rome.

Ata ishin pjesë e jetës së përditshme të fshatit, të pranuar dhe të integruar në komunitet. Kryesisht merreshin me punë fizike dhe zeje të ndryshme: kovaçë, daullxhinj, surlaxhinj, telallë e zanate të tjera.

Shumica prej tyre, gjatë verës, shkonin për të punuar në Banat e Kumanovës. Më vonë, disa emigruan edhe në Zvicër e Gjermani, ku punonin si punëtorë krahu. Kam informacione të konfirmuara se një pjesë e tyre kishin ndihmuar materialisht edhe Fondin “Vendlindja thërret”, madje kishin kontribuar edhe për blerjen e armatimit për UÇK-në.Pas përfundimit të luftës, ata u larguan nga Hogoshti. Shumica, në kërkim të një jete më të mirë, por pati edhe raste kur u detyruan të largoheshin. Kjo ndodhi pasi disa banorë lokalë i akuzuan individë të tyre për bashkëpunim me policinë dhe paramilitarët serbë gjatë bastisjeve dhe vrasjeve të disa bashkëfshatarëve tanë në luftën e fundit.

Natyrisht, akuza të tilla, sado të rënda, nuk mund të shndërrohen në fajësi kolektive. Përgjegjësia është individuale dhe askush nuk duhet të dënohet për përkatësinë e tij etnike.

Mungesa e tyre sot ka krijuar një vakum në jetën e fshatit. Jo vetëm sepse Hogoshti humbi një pjesë të fuqisë punëtore dhe zanatet e tyre dalëngadalë u zhdukën, por edhe sepse me ta u zhduk një pjesë e atmosferës dhe e gjallërisë së dikurshme.

Duke qenë se jetonin në qendër të fshatit, festat dhe ahengjet e tyre, dasmat, Dita e Shën Gjergjit e Viti i Ri, shpesh shoqëroheshin me muzikë e valle që zgjasnin me ditë të tëra. Krijohej një atmosferë e veçantë, të cilën ua kishin lakmi edhe shumë fshatra përreth.

Por, përtej nostalgjisë, largimi i tyre me presion apo dhunë, aty ku ka ndodhur, mbetet një njollë e rëndë. Një veprim i tillë bie ndesh me çdo normë njerëzore e demokratike dhe lë hapësirë për akuza të diskriminimit etnik. Një epitet të tillë Hogoshti as nuk e ka pasur, as nuk e meriton.

Para disa ditësh, gjatë një takimi në Bujanoc me një familje rome që kishte jetuar në Hogosht deri në vitin 1999, u befasova nga fjalët e njërit prej tyre, Bajramit:

“Kam shtëpi dhe jetesë të mirë këtu. Kam punuar në Zvicër, ndërsa djemtë sot merren edhe me tregti. Por malli, dëshira dhe nostalgjia nuk më lënë të qetë. Të gjitha ëndrrat i shoh në Hogosht. Jeta atëherë ishte e vështirë, por nuk mund ta harroj solidaritetin, ndihmën dhe respektin që kishim. Madje, i kujtoj me mirënjohje edhe disa familje që na qëndruan pranë.”

Këto fjalë më lanë mbresa të veçanta.

Sepse vatani nuk harrohet lehtë. Kjo vlen për çdo njeri, pavarësisht përkatësisë etnike, gjuhës apo vendit ku jeton.

Prandaj, edhe për romët e Hogoshtit, kthimi nuk duhet të mbetet vetëm nostalgji apo dëshirë e parealizuar. Disa prej tyre ende i kanë pronat dhe shtëpitë në qendër të fshatit.

Kthimi i tyre, nëse është dëshirë e tyre e lirë, do të ishte një hap pozitiv për të gjithë: për ta, për Hogoshtin dhe për rikthimin e një pjese të historisë sonë të përbashkët.

Natyrisht, kjo kërkon mbështetje institucionale, angazhim të komunitetit dhe përkrahje të faktorit ndërkombëtar, pasi shumë prej shtëpive të tyre të boshatisura kërkojnë investime të konsiderueshme për t’u bërë sërish të banueshme.

Hogoshti nuk ka arsye ta harrojë këtë pjesë të historisë së vet. As nuk duhet të lejojë që padrejtësitë e së kaluarës të bëhen pengesë për një të ardhme më të mirë.

Sepse bashkëjetesa nuk dëshmohet vetëm kur jetojmë pranë njëri-tjetrit, por sidomos kur kemi guximin t’i pranojmë gabimet, t’i korrigjojmë padrejtësitë dhe t’i hapim dyert për njëri-tjetrin.

Rrëfimet vazhdojnë çdo të diele

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram