Përgjatë historisë moderne, shumë popuj dhe vende kanë përjetuar luftëra dhe krime nga më të rëndat, të cilat shpesh nuk kanë arritur të trajtohen juridikisht si gjenocid. Megjithatë, në një vendim historik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) – organi më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara – e bëri përgjegjës Mianmarin për shkeljen e Konventës së Gjenocidit ndaj pakicës etnike e myslimane Rohingya, gjatë operacioneve ushtarake të viteve 2016–2017.
Kjo fushatë e dhunshme në shtetin Rakhine detyroi mbi 700,000 pjesëtarë të komunitetit Rohingya të iknin përtej kufirit në Bangladesh. Rreth 10,000 persona humbën jetën dhe qindra fshatra u shkatërruan, ndërsa të mbijetuarit sollën dëshmi tronditëse për vrasje masive të të rriturve dhe fëmijëve, tortura dhe përdhunime sistematike. Çështja kundër Mianmarit u ngrit në nëntor të vitit 2019 nga Gambia, një shtet afrikan me shumicë myslimane, në emër të të mbijetuarve.
Lidhur me këtë zhvillim, ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Senegal dhe Gambia, Ramadan Gashi, vlerëson se ky vendim përbën një moment kyç për drejtësinë ndërkombëtare, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë.
Roli kyç i Gambisë dhe solidariteti ndërkombëtar
Sipas z. Gashi, aktualisht anëtar i Kryesisë së Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës, një element veçanërisht domethënës i kësaj çështjeje është guximi diplomatik dhe juridik i Gambisë – një vend ku ai ka shërbyer si përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Kosovës. Nisma e Gambisë u mbështet nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI), e cila bashkon 57 shtete, duke u shndërruar në një shembull konkret të solidaritetit të botës myslimane ndaj një komuniteti të përndjekur për shkak të identitetit etnik dhe fetar.
“Roli i Gambisë është i veçantë sepse ajo nuk ishte drejtpërdrejt e prekur nga këto ngjarje dhe nuk kishte lidhje territoriale me Mianmarin. Megjithatë, ajo përdori mekanizmat e së drejtës ndërkombëtare për të kërkuar llogari. Sipas nenit IX të Konventës për Gjenocidin, çdo shtet palë mund ta çojë një mosmarrëveshje para GJND-së, edhe kur viktimat nuk janë shtetas të tij,” shpjegon ambasadori Gashi.
Kjo dëshmon se parandalimi i gjenocidit dhe mbrojtja e jetës njerëzore nuk janë vetëm çështje kombëtare apo rajonale, por detyrim i mbarë komunitetit ndërkombëtar. Vendimi i Gjykatës e obligon Mianmarin të hetojë dhe të ndëshkojë përgjegjësit, të parandalojë përsëritjen e krimeve, të dëmshpërblejë viktimat dhe të mundësojë kthimin e sigurt e të dinjitetshëm të refugjatëve.
Një mesazh kundër standardeve të dyfishta
Për ish-ambasadorin Gashi, ky rast tregon se si një shtet, pavarësisht madhësisë, fuqisë ekonomike apo pozitës gjeografike, mund të luajë një rol vendimtar në mbrojtjen e drejtësisë globale.
“Rëndësia e kësaj çështjeje qëndron në faktin se solidariteti fetar dhe njerëzor u shndërrua në veprim konkret juridik. Megjithatë, drejtësia për popullsinë Rohingya nuk është vetëm përgjegjësi e botës myslimane, por përgjegjësi universale. Sot bëhet fjalë për një komunitet mysliman, por nesër mund të jetë çdo komunitet tjetër, pavarësisht fesë, etnisë apo origjinës. Prandaj, nuk duhet të ketë standarde të dyfishta,” thekson Gashi.
Ai e përmbyll komentin e tij me një thirrje të qartë: “Solidariteti nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata, drejtësia nuk duhet të mbetet vetëm në vendime gjyqësore dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk duhet të varet nga përkatësia e viktimave. Ajo duhet të jetë një parim universal, i zbatueshëm për të gjithë dhe në çdo rrethanë.”
________________________________________
Kutia informative: Angazhimi i ambasadorit Gashi dhe diplomacia e Kosovës në Afrikë
Në vitin 2017, Ramadan Gashi u emërua Ambasador i Republikës së Kosovës në Senegal (me seli në Dakar), duke mbuluar si ambasador jo-rezident edhe Gambinë, Guinenë-Bisau, Çadin, Liberinë, Bregun e Fildishtë dhe disa vende të tjera afrikane. Hapja e ambasadës në Dakar ishte pjesë e strategjisë së Kosovës për konsolidimin e pozitës së saj diplomatike në kontinentin afrikan, përballë fushatës agresive të Serbisë për çnjohje.
Në mars të vitit 2018, ambasadori Gashi, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, diplomatëve kosovarë (përfshirë Lulzim Mjekun, Fitim Gllarevën, Albert Prenkajn, Avni Hasanin dhe Sami Halilin, aktualisht i ngarkuar me punë në Senegal), si dhe me përkrahjen e ambasadorit amerikan Tulinabo Mushingi, udhëhoqi një ofensivë diplomatike që rezultoi me rikthimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gambia dhe Guinea-Bisau.
Dorëzimi i letrave kredenciale te presidenti i Gambisë, Adama Barrow, dhe te presidenti i Guinesë-Bisau, José-Maria Vaz, shënoi një sukses të rëndësishëm për politikën e jashtme të Kosovës, duke hedhur bazat për bashkëpunim ekonomik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit në Afrikën Perëndimore./Ilir KRASNIQI

