Monitorimi i institucioneve, përfshirë ato të nivelit lokal, do të jetë në fokus të angazhimit të ardhshëm të Misionit të OSBE-së, në kuadër të riorganizimit të tij.
Për këtë çështje ka diskutuar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, në një takim me drejtorin e Qendrës Rajonale të Misionit të OSBE-së në Pejë, Cristiano Barale.
Sipas njoftimit të komunës, gjatë takimit janë diskutuar ndryshimet në mënyrën e funksionimit të misionit dhe angazhimet e tij të ardhshme.
Krasniqi ka falënderuar OSBE-në për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e institucioneve lokale, si dhe për kontributin në mbështetjen e organizatave joqeveritare dhe sektorit të rinisë.
Ndërkaq, Barale ka vlerësuar zhvillimin e institucioneve vendore dhe bashkëpunimin e deritanishëm me Komunën e Malishevës.
Në përfundim të takimit, të dy palët janë pajtuar për vazhdimin e bashkëpunimit në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e komunikimit ndërmjet komunës dhe OSBE-së.

