Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se mandatin e kanë dorëzuar me rritje pozitive ekonomike e sipas tij, që nga atëherë trendi i rritjes ekonomike është në rënie.
“Në qeverinë e udhëhequr nga unë, kemi punuar shumë për të nxjerrë ekonominë nga kriza për shkak të pandemisë. E kthyem trendin pozitiv që në muajt e parë të vitit 2021. E dorëzuam mandatin me rritje pozitive ekonomike, me baza të mira për të vazhduar më tutje. Që nga atëherë, trendi i rritjes ekonomike është në rënie. Sigurisht shkaktarë janë edhe faktorët e jashtëm, por në politika ekonomike dhe fiskale nuk është ndërmarrë asnjë veprim domethënës”, ka shkruar Hoti.
Ish-kryeministri i Kosovës tha se Qeveria është mbyllur ndaj bizneseve, teksa shtoi se nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të diskutuar shqetësimet e bizneseve dhe për të zhvilluar politikat e reja ekonomike.
“Qeveria është mbyllur plotësisht ndaj bizneseve. Nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të diskutuar shqetësimet e bizneseve dhe për të zhvilluar politikat e reja ekonomike”, ka shkruar ai në Facebook. /Kosovatimes/