Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se pas incidentit të ndodhur në punishten ndërtimore në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, janë pezulluar nga puna dy inspektorët e zonës dhe zyrtari përgjegjës për lëndën.
Rama, në një njoftim në Facebook, tha se punishtet ndërtimore duhet të inspektohen rregullisht nga Inspektorati Komunal për të garantuar sigurinë e punëtorëve, qytetarëve dhe cilësinë e punimeve sipas projektit të aprovuar. Ai theksoi se çdo neglizhencë në këtë drejtim është e patolerueshme.
“Çdo neglizhencë në këtë drejtim është e patolerushme. Përveç procedurave që do të zhvillohen nga Komisioni Disiplinor i Kryeqytetit, jemi të hapur për bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në kuadër të hetimit të nisur për këtë rast, të cilin e kam kërkuar menjëherë dje dhe e mirëpres fillimin e tyre”, tha Rama.
Ai gjithashtu bëri thirrje që edhe kompanitë private të ndërtimit të marrin përgjegjësi të plotë për respektimin e standardeve të sigurisë dhe kushteve të punës, duke paralajmëruar masa të rënda ligjore për çdo shkelje.
“Zero tolerancë ndaj askujt”, përfundoi kryetari i Prishtinës.

