Deputeti i PDK-së, njëherësh kryetar i këtij subjekti politik ka replikuar në kundërpërgjigjen që i bëri ministri i Financave, Hekuran Murati rreth rritjes ekonomike.
“Ministër kam qenë edhe në vitin 2011, kur rritja ekonomike reale ka qenë 6.32; ministër isha edhe në vitin 2017, kur rritja reale ka qenë 4.83; ministër isha edhe në vitin 2019, kur rritja ekonomike reale ka qenë 4.76. Kur e marrim mesataren, ku je ti dhe ku jam unë, dalim më lart ne. Ju thatë se niveli i rritjes ekonomike është si rezultat i mosfunksionimit të Kuvendit, pajtohem edhe për institucionet, por faktori dhe përgjegjësi jeni ju. Ju jeni ndodhur në shkelje kushtetuese dhjetëra herë me veprimet tuaja që nuk keni lejuar të bëhen institucionet dhe të ecet tutje”, tha Hamza.
Ai tutje tha se asnjëherë nuk e mohon atë që ka ndodhur, rritjen e pagave e shtesat për cilëndo kategori dhe se ato i mirëpret.
“Mirëpo, te shpërndarja e parave duhet të jetë e targetuar për kategoritë që të nxirren nga rastet sociale dhe të mos vazhdojnë të jenë në raste sociale, ndërsa mbështetja duhet të jetë me ligj dhe transparente. E thatë që edhe aktualisht ka mungesë apo disproporcion mes të hyrave të planifikuara dhe të realizuara, edhe me këto çmime të rritura e keni këtë situatë. Atëherë e paskeni pasur keq planifikimin e buxhetit”, shtoi Hamza.
Ai i propozoi ministrit Murati që të hyrat e realizuara si rezultat i rritjes së çmimeve, në momentin e planifikimit të buxhetit dhe tani, t’i përdorin për përkrahjen e qytetarëve të Kosovës.
“Vetëm merreni çmimin kur e keni propozuar buxhetin në muajin tetor dhe krahasojeni me atë që është tani; dallimin e këtyre të hyrave përdoreni me qëllim të mbrojtjes së standardit të jetesës. Po ashtu, mos u kufizoni vetëm te sasia dhe importet në vëllim për 15 ditët e fundit, por kthehuni edhe nga 1 janari, dhe do të rezultojë se në vëllim keni pasur import më të madh të naftës sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, nënvizoi Hamza.
Hamza: Qeveria po neglizhon rritjen e çmimeve të naftës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka folur për çmimet e derivateve të naftës, duke theksuar se nga kjo po pësojnë qytetarët.
Sipas tij, institucionet po qëndrojnë si vëzhgues përballë një krize që po rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët.
“Krizat ekonomike kanë edhe zhvillime ciklike. Vijnë prej faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, dhe zakonisht nuk vijnë prej faktorëve të njëjtë. Edhe kësaj radhe, situata që ndodhi është rezultat i faktorëve të jashtëm, mirëpo çka dallon? Dallon se qeveritë e vendeve përkatëse a janë aktive, a marrin masa, apo janë vëzhgues pasivë sikurse në rastin konkret, dhe barrën e paguajnë qytetarët e vendit”, tha ai.
Sipas tij, çmimi i naftës ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostove të produkteve dhe shërbimeve të tjera. “Çmimi i naftës është në ngritje e sipër. Është një produkt i cili ka impakt në ngritjen e kostos së shumë produkteve të tjera, qoftë në prodhim, qoftë në shërbime”, shtoi ai.
Hamza ka theksuar se edhe kur çmimi i naftës bie, çmimet e produkteve mbeten të larta. “Kur ndikon në rritjen e çmimit të një produkti, pas një periudhe të caktuar kohore mundet çmimi i naftës të bjerë, por çmimi i produkteve që janë rritur mbetet i njëjtë”, nënvizoi kreu i PDK-së.
Ai ka kritikuar Qeverinë për mosadresim të duhur të situatës ekonomike. “Qeveria nuk është duke e marrë në konsideratë ndikimin dhe impaktin e kësaj dukurie në përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Kjo vazhdon t’i varfëroi qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Hamza ka përmendur edhe të dhënat e FMN-së, duke thënë se rritja ekonomike është e ulët dhe e pamjaftueshme.
“Rritja ekonomike për vitin 2025 vlerësohet se është 3.6%, që është më e ulëta e viteve të fundit… për vitin 2026 parashikohet 3.3%”, tha ai.

