Thursday, May 28, 2026
HomepafilterHajdari: Masat e qeverisë japin efekt real dhe afatgjatë për qytetarët

Hajdari: Masat e qeverisë japin efekt real dhe afatgjatë për qytetarët

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën plentare, foli deputetja dhe ish-ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, foli për rritjen e çmimeve të naftës dhe masat që ka ndërmarrë qeveria për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset.

“Pyetja është shumë e thjeshtë për rritjen e çmimeve të naftës, të cilat bartën inflacionin e shkaktuar nga krizat gjeopolitike: a jemi gati t’u themi qytetarëve se do të ulet mbështetja për familjet dhe bizneset dhe do të shkurtohen shërbimet publike për një masë që nuk garanton ulje reale të çmimeve?”, tha ajo.

Sipas saj, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka ndërhyrë aty ku ka pasur nevojë, duke formalizuar tregun e naftës, eliminuar kostot e panevojshme dhe rritur transparencën.

Hajdari shtoi se këto masa kanë efekt real dhe afatgjatë, ndërsa rikujtoi sfidat e trashëguara nga qeverisjet e kaluara.

“Keqpërdorimi dhe korrupsioni kishin zënë vend thellë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si në publik ashtu edhe në privat. Këto dukuri nuk ishin të rastësishme; ato ishin të lidhura ngushtë me interesa të ngushta, me grupe dhe monopole të afërta me politikën, që për vite me radhë kishin penguar zhvillimin e tregut të lirë dhe konkurrencën e drejtë”, tha Hajdari.

Ajo theksoi se gjatë pesë viteve të fundit janë ndërmarrë hapa konkretë për të eliminuar praktikat e dëmshme dhe për të krijuar një ambient ku të gjitha bizneset kanë mundësi të barabarta, konkurrenca është e drejtë dhe zhvillimi ekonomik qëndrueshëm në shërbim të qytetarëve.

Hajdari përmendi si shembull sektori i naftës, ku sipas saj, për më shumë se një dekadë ligji për naftën kishte mbetur në pritje për miratim për shkak të lidhjeve me interesat monopoliste.

“Sot, ata që e penguan këtë ligj të naftës janë në opozitë, ndërsa ne kemi marrë përgjegjësinë për të reformuar këtë sektor të rëndësishëm”, shtoi Hajdari.

Deputetja rikujtoi se para vitit 2021, vetëm gjysma e pikave të shitjes së produkteve të naftës ishin të licencuara dhe tregu ishte i paformalizuar, i pakontrolluar dhe i padrejtë.

Tarifat për licencim varionin nga 500 deri në 5,000 euro dhe kishin afate vetëm dyvjeçare, duke krijuar një barrë të vazhdueshme për bizneset. “Këto masa kanë krijuar një sistem më të drejtë, më transparent dhe në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve”, përfundoi Hajdari.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram