Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci ka inspektuar punimet në restaurimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Në këtë institucion qendror të skenës artistike në vend, restaurimi po ecën me dinamikë, duke u fokusuar në ruajtjen e vlerave arkitekturore dhe historike, si dhe në modernizimin e kushteve të punës dhe përvojës së publikut”, ka shkruar ajo në facebook.
Bogujevci ka thënë se ndërhyrjet që po realizohen synojnë krijimin e një hapësire dinjitoze për aktorët dhe stafin teknik, si dhe një ambient më funksional e bashkëkohor për shfaqjet teatrore.
“Ky investim i rëndësishëm mbetet dëshmi e angazhimit tonë për forcimin e infrastrukturës kulturore dhe mbështetjen e skenës teatrore në vend”, vazhdon ajo.

