Dy persona të dyshuar janë arrestuar pasi dyshohet se kanë pranuar ryshfet në vlerë prej 400 eurosh në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokuroria Themelore në Ferizaj, kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin “Marrje e ryshfetit”.
Nga hetimet e zhvilluara është siguruar prova e mjaftueshme se dy personat e dyshuar kanë pranuar ryshfet në vlerë 400 euro, me premtimin se do të përshpejtonin procesin e realizimit të një kërkese për furnizim të parashtruar nga viktima.
Paratë dyshohet se janë pranuar në zyrën e të dyshuarve, ku më pas janë gjetur dhe sekuestruar në të njëjtin vend.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe ndaj tyre është iniciuar procedura për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”. Pas intervistimit, prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tyre.

