Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e datës 20 shkurt 2026, ka hedhur poshtë si të pabazuar kallëzimin penal të profesorit Enver Hasani, lidhur me pretendimin e tij se avancimi në profesor të rregullt në Universitetin e Prishtinës në vitin 2022 i rektorit aktual, profesor Arben Hajrullahu, është i paligjshëm.
Prokuroria ka konstatuar se “pretendimet e ngritura nga paraqitësi i kallëzimit penal, Profesor Enver Hasani, nuk mbështeten në fakte”.
Pas marrjes së detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës, më 1 tetor 2024, profesori Arben Hajrullahu kishte gjetur një shkresë të përcjellë me dëshmi përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, në të cilën dëshmohet se profesori Enver Hasani ka bërë deklarim të rremë nën betim pranë kësaj agjencie. Po ashtu, rektori kishte hasur edhe një vendim të Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës për masa disiplinore ndaj ish-rektorit dhe profesorit Enver Hasani.
Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që rrjedhin nga funksioni i rektorit, këto çështje janë trajtuar në mënyrë procedurale, duke u referuar në organet kompetente për shqyrtim të pavarur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe janë proceduar në strukturat përkatëse të brendshme të universitetit.
Më 18 prill 2025, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës, me vendim të veçantë, hodhi poshtë të gjitha pretendimet e profesorit Enver Hasani ndaj rektorit prof. Arben Hajrullahu në denoncimin e tij.
Në një postim të Universitetit të Prishtinës thuhet se “Që nga marrja e detyrës, rektori i Universitetit të Prishtinës, profesori Arben Hajrullahu, ka ndërmarrë hapa drejt forcimit të ligjshmërisë, meritokracisë dhe mbrojtjes së pronës institucionale të UP-së. Sipas njoftimit, këto përpjekje për reforma strukturore dhe rikthim të standardeve institucionale kanë prodhuar reagime dhe kundërshtime nga aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe individë që kanë qenë të përfshirë në praktikat e kontestuara”.
UP vlerëson se akuzat dhe denoncimet e adresuara ndaj rektorit Arben Hajrullahu shihen si pjesë e një dinamike më të gjerë që synon krijimin e paqartësive në opinionin publik dhe ushtrimin e presionit ndaj proceseve reformuese. Megjithatë, sipas të njëjtit qëndrim, angazhimi për transparencë, sundim të ligjit dhe integritet institucional mbetet prioritet i udhëheqjes aktuale të universitetit.

