“Besimi i qytetarëve ndaj institucionit të Auditorit të Përgjithshëm ka shënuar rritje nga 33% në 77%”. KJo u u tha gjatë takimit mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Auditorës së Përgjithshme, Vlora Spanca.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila e uroi për mandatin e ri dhe theksoi rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucionit që ajo drejton.
Gjatë takimit, Spanca shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit institucional në funksion të forcimit të llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik.
Auditorja e Përgjithshme informoi Kryeministrin për angazhimet dhe përpjekjet në rritjen e performancës së institucionit, duke theksuar avancimet në profesionalizëm, pavarësi dhe zbatimin e standardeve të auditimit. Ajo nënvizoi se besimi i qytetarëve ndaj institucionit të Auditorit të Përgjithshëm është rritur nga 33% në fillim të mandatit në 77% aktualisht.
“Spanca rikonfirmoi përkushtimin e saj që institucioni të vazhdojë të kryejë misionin me integritet, paanshmëri dhe profesionalizëm, duke garantuar mbikëqyrje efektive të shpenzimit të parasë publike dhe duke kontribuar në forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

