Forcat Ajrore Izraelite (IAF) njoftuan se po kryenin një valë të re sulmesh në Teheran dhe deklaruan se objektivat ndodheshin në zemër të qytetit.
Ushtria pretendon se Forcat Ajrore Iraiane kanë kryer sulme në shkallë të gjerë gjatë ditës së kaluar për të vendosur epërsi ajrore dhe për të hapur rrugën drejt Teheranit.
Ushtria izraelite (IDF) njoftoi të dielën në mëngjes se kishte hedhur mbi 1,200 bomba mbi objektivat iraniane që nga fillimi i luftës.
Të shtunën në mbrëmje, IDF tha se mbi 200 aeroplanë kishin goditur 500 objektiva iraniane.
“Ali Khamenei ishte shënjestra e një operacioni të saktë dhe në shkallë të gjerë të kryer nga Forcat Ajrore Izraelite, të udhëhequra nga inteligjenca e saktë e IDF-së, ndërsa ai ishte në kompleksin e tij qendror të komandës në zemër të Teheranit, ku ishte me zyrtarë të tjerë të lartë”, tha ushtria në një deklaratë.
Ushtria pretendon se Khamenei, i cili ka qenë udhëheqës suprem që nga viti 1989, “ishte përgjegjës drejtpërdrejt për shtypjen e dhunshme të qytetarëve iranianë për shumë vite”.
“Khamenei ishte arkitekti i planit për të shkatërruar Shtetin e Izraelit dhe njihej si ‘koka e oktapodit iranian’, i cili i shtriu krahët e tij në të gjithë Lindjen e Mesme dhe deri në kufijtë e Shtetit të Izraelit. Më i shquari midis tyre ishte organizata terroriste Hezbollah. Udhëheqësi suprem i regjimit iranian ishte përgjegjës për sulmet terroriste ndaj Shtetit të Izraelit dhe gjaku i shumë civilëve nga e gjithë bota ishte në duart e tij”, sipas IDF.

