Moska zyrtare duke folur për zhvillimet në lindjen e mesm sërish i kthehet retorikës propagandistike duke u marrë me Kosovë. Në konferencën e rregullt të ditë më parë Maria Zakharova, përveç temave në lindjen e mesme tenton ta zhvendos vëmendjen e opinionit sërish në Kosovë duke rekomanduar qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Kosovë, pas arrestimit të kohë më parë të një shtetasi rus dhe dy shtetasve bjellorusë për kalim ilegal të kufirit. Madje ajo foli edhe për bashkëpunimin ushtarak midis Zagrebit, Tiranës dhe Prishtines, duke folur me tone kërcënuese për “shkeljet” e rezolutës 1244. Për Zakharovën “Kalim të paautorizuar të kufirit” nuk përbënë ndonjë shkeje! “Duke pasur parasysh rreziqet e larta, ne edhe një herë rekomandojmë fuqimisht që qytetarët rusë të përmbahen nga vizita në Kosovë dhe të zgjedhin rrugë alternative kur planifikojnë udhëtime brenda rajonit të Ballkanit”, thotë ajo.
Kjo deklaratë duhet parë më shumë si një mjet i luftës hibride dhe propagandës sesa si një shqetësim real për sigurinë e qytetarëve rusë. Arrestimet e përmendura shpesh përdoren si pretekst për të nisur fushata të tilla diplomatike.
Deklarata e saj , është një shembull tipik i diplomacisë ruse që ndërthur retorikën agresive me përpjekjen për të luajtur rolin e “gardianit” të ligjit ndërkombëtar, ndërkohë që synon destabilizimin e rajonit.. Përdorimi i thonjëzave për fjalët si “autoritetet”, “shteti”, “viza” apo “qeveria” synon të zhvlerësojë subjektivitetin juridik të Kosovës. Duke e quajtur “provincë autonome serbe”, Rusia jo vetëm që injoron realitetin politik të pas-2008-ës, por përpiqet të mbajë gjallë narrativën e Serbisë së Madhe për të ruajtur ndikimin e saj mbi Beogradin.
Rusia vazhdon ta interpretojë Rezolutën 1244 në mënyrë rigjide dhe selektive. Thirrja në 1244 shërben si mjet për të bllokuar integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për të mbajtur Ballkanin si një “çështje të hapur”
Deklarata për bashkëpunimin ushtarak Prishtinë-Tiranë-Zagreb është një përpjekje e pastër për të krijuar paranojë në rajon.Targetimi i NATO-s: Duke sulmuar Kroacinë (anëtare e NATO-s) dhe Shqipërinë, Moska dëshiron të portretizojë aleancën transatlantike si një forcë destabilizuese që po “armatoset” kundër serbëve. Përdorimi i termave si “çmenduri absolute” dhe “eksperimente në Ballkan” synon të nxisë ndjenjat nacionaliste serbe dhe ta paraqesë Serbinë si viktimën e fundit të “diktatit” perëndimor.Krahasimet e Kosoves me Lindjen e Mesme dhe Gazën, është një taktikë e re dhe e rrezikshme e komunikimit rus. Duke lidhur situatën në Ballkan me konfliktet në Lindjen e Mesme, Zakharova synon të shfrytëzojë emocionet globale mbi krizat humanitare dhe të paralajmërojë (ose të kërcënojë) se Ballkani mund të jetë pika e radhës e shpërthimit nëse “interesat ruse/serbe” nuk respektohen. Ky lloj diskursi nga Moska nuk është thjesht një koment anësor, por një ndërhyrje e drejtpërdrejtë që e bën edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi shumë më të komplikuar. Qëllimi i BE-së dhe SHBA-së është që dialogu të jetë një proces teknik dhe politik për normalizimin e jetës së qytetarëve. Rusia ka gjasa të rrisë intensitetin e këtyre deklaratave sa herë që ka përparim në dialog. Ajo nuk dëshiron një marrëveshje përfundimtare, sepse një Ballkan i qetë dhe i integruar në BE do të thotë fundi i ndikimit rus në rajon./Kosovatimes

