Koment
Kosova ndodhet përballë një krize institucionale që nuk është parë prej vitesh. Dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka ndezur debate të forta mbi kufijtë e pushtetit presidencial dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa vendi pret vendimin , çdo hap politik mund të ketë pasoja afatgjata për stabilitetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve.
Dështimi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës ka quar në një krizë politike me shumë të panjohura të cilës pritet ti jap zgjidhje Gjykata Kushtetuese. Aktualisht institucionet qendrore kanë mbetur në një ngërç pozicion pas dekretit të presidentes për të shpërndarë Kuvendin dhe kërkesës paraprake adresuar gjykatës Kushtetuese nga kryetarja e Kuvendit dhe 9 deputetë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”. Dekreti i nxjerrë nga presidentja ishte një hap jo i menduar mirë si për vetë pozicionin e saj ashtu edhe për vendin. Këto kriza do të kenë efekt të rënd ekonomik. Ekonomia e Kosovës po rritet gradualisht dhe disa indikatorë janë përmirësuar, por vendi ende përballet me sfida serioze strukturore që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. Problem serioz mbetet ende papunësia, emigrimi dhe standardi i ulët i jetesës. Ndërsa vazhdon kjo krizë, institucionet financiare ndërkombëtare fillojnë të humbin besimin e me ketë edhe projektet. Sidomos tani kur pothuaj të gjitha vendet perëndimore janë të prekura nga kriza e shkaktuar nga rrethanat e reja gjeopolitike. Politika kosovare nuk është treguar serioze përball sfidave të mëdha që ka vendi.
Andaj kjo kriza e bartur do të reflektojë negativisht në sytë e opinionit publik apo më thjeshtë qytetarët të cilët jo që janë lodhur me zgjedhje por edhe situatën ekonomike me të cilën po përballen.
Pra i gjithë ky proces jo i këndshëm është në duar të Gjykatës Kushtetuese, si kërkesa e parashtruar nga deputetët ashtu edhe dekreti i nxjerr dy ditë më pas nga presidentja për shpërndarjen e Kuvendit.
Në shumicën e sistemeve kushtetuese përfshirë praktikën në Kosovë dhe vende të tjera parlamentare, ekziston parimi i vazhdimësisë së institucionit që nënkupton deri në zgjedhjen e pasardhësit për të mos lënë vakumin institucional në krye të shtetit. Pra presidentja mbetet ushtruese e kompetencave deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Presidentja ka kompetencë për të shpërndarë në rastet e krizës institucionale të përcaktuar me Kushtetutë. Por megjithatë dekreti mund të konsiderohet i diskutueshëm nga pikëpamja kushtetuese, meqë fakti që kryetarja dhe nëntë deputetë të Kuvendit i janë drejtuar paraprakisht Gjykatës kushtetuese për interpretim ka rëndësi të madhe juridike.
Kjo pasi kur një çështje është sub judice (në shqyrtim nga gjykata), ndërhyrjet politike që paraprakisht ndryshojnë situatën kushtetuese mund të konsiderohen problematike. Nëse dekreti i presidentes e ndryshon realitetin institucional para vendimit të gjykatës, kjo mund të shihet si anashkalim i rolit interpretues të Gjykatës Kushtetuese. Kjo meqë nëse kushtet kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit nuk janë përmbushur ose çështja ishte në shqyrtim në Gjykata Kushtetuese, atëherë dekreti mund të konsiderohet i diskutueshëm ose potencialisht antikushtetues. Sidoqoftë vendimi përfundimtar do të varej nga interpretimi i Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet harruar se një precedent i rëndësishëm ishte kriza politike e vitit 2014 dhe 2020, kur pati mosmarrëveshje për krijimin e qeverisë dhe interpretime të ndryshme për kompetencat e presidentit, Asokohe ka pasur ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese e cila theksoi disa parime: Presidenti nuk ka diskrecion absolut për të shpërndarë Kuvendin; kompetenca e tij, është e kushtëzuar nga rrethanat e përcaktuara në Kushtetutë dhe çdo dekret presidencial mund të kontrollohet nga Gjykata Kushtetuese.
Nëse analizojmë në mënyrë juridike shtrohet pyetja sa ndikoi fakti që çështja ishte në Gjykatë? Në doktrinën kushtetuese ekziston parimi: institucionet duhet të shmangin veprime që e bëjnë të pavlefshëm shqyrtimin e gjykatës. Pra dekreti mund të interpretohet si: veprim politik i fortë ose tejkalim i kompetencës, në varësi të interpretimit kushtetues. Ekzistojnë tre skenarë kryesorë juridike që gjykata mund të ndjekë. Të shpallë dekretin kushtetues dhe presidentja të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjet reja.
Skenari i dytë mund të jetë që Gjykata të shpallë dekretin antikushtetues duke konstatuar se ajo ka vepruar në një moment kur çështja ishte tashmë në shqyrtim nga gjykata. Pra dekreti mund të anulohet, Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon mandatin dhe procesi për zgjedhjen ose mënyrën e zgjedhjes së presidentit vazhdon. Dhe e treta gjykata mund të jep interpretim kompromisi duke konstatuar se presidentja kishte mandat funksional por kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit duhej përdorur vetëm në rrethana specifike. Në këtë rast gjykata mund të mos e rrëzojë menjëherë dekretin dhe të vendos kufizime të reja interpretative për të ardhmen. Në këtë rast kriza institucionale zgjidhet gradualisht dhe krijohet precedent kushtetues për raste të ngjashme. Në të drejtën kushtetuese kjo situatë lidhet me dy parime themelore :Parimi i vazhdimësisë së shtetit ku institucionet nuk duhet të mbeten pa funksion. Dhe parimi i balancës së pushteteve- ku asnjë institucion nuk duhet të përdorë kompetencat për të ndryshuar ekuilibrin politik në mënyrë të njëanshme. Nëse një president shpërndan parlamentin në një moment kur: mandati i tij, është në fund dhe një çështje kushtetuese është në shqyrtim, atëherë kjo zakonisht konsiderohet situatë kufitare e kompetencave kushtetuese, dhe vendimi i Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës bëhet vendimtar për stabilitetin institucional.Për fat të keq tek ne nuk ekziston sikurse te shumë vende tjera evropiane ekzistojnë kufizime për presidentin për të marrë vendime në fund të mandatit që ndryshojnë balancën politike, ndikojnë në përbërjen e parlamentit dhe krijojnë krizë të re institucionale. Disa kanë kufizime të vendimmarrjes brenda një viti nga zgjedhjet e fundit parlamentarë për të shmangur manipulimin politik të ciklit zgjedhor. Ose praktika e Italisë ku presidenti ka kompetencë për shpërndarjen e parlamentit, por ekziston rregulli i njohur si: “semestre bianco” (gjashtëmujori i bardhë).Sipas këtij rregulli: gjatë 6 muajve të fundit të mandatit, presidenti nuk mund të shpërndajë parlamentin. Ky rregull është krijuar për të shmangur situatat kur një president në largim mund të ndërhyjë në procesin politik dhe të ndikojë në ciklin zgjedhor. Parime të tilla konsiderohen të rëndësishme për stabilitetin institucional dhe për ruajtjen e balancës së pushteteve në një sistem demokratik.

