Duke e quajtur të domosdoshme një marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e kreut të shtetit, kryeministri, Albin Kurti, paralajmëroi gjatë ditës se do t’u dërgoj ftesa për takime në fillimi te javës që vjen, partive opozitare. Me PDK-në, e LDK-në, ai zhvilloi disa runde takimesh të pasuksesshme, për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Kurti ka thënë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, duke theksuar se stabiliteti institucional duhet të jetë prioritet.
“Është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura”, deklaroi ai.
Partitë opozitare u përgjigjën menjëherë, i thanë po takimit, por jo pa dalë vendimi përfundimtar i Kushtetueses për dekretin e Osmanit.
Partia Demokratike tha se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit.
Në njoftimin e tyre për media, kjo parti thotë se në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë.
Edhe kryetari i LDK-së tha se është i gatshëm ta takojë Kurtin, një orë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, por jo më herët.
“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”.
Ndërsa, Besnik Tahiri i AAK-së ka deklaruar se ftesa e kryeministrit Albin Kurti për takime me opozitën në çështjen e presidentit, sipas tij, është përpjekje për ta përmbysur narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë, dhe njëkohësisht, siç tha ai, për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.
E kryeministri Kurti tha se pret që Kushtetuesja sa më shpejt të dalë me një përgjigje e Kuvendi të funksionalizohet, siç tha, për të mos shkuar në zgjedhje të reja, të cilat i ka quajtur të panevojshme.
“Meqenëse mbi 120 milionë euro të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare na janë vonuar për shkak se nuk po punon Kuvendi i Republikës, dhe në anën tjetër zgjedhjet e reja do të kushtojnë së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tash se kush e ka shumicën. LVV ka fituar me 51.1 për qind dhe çështja është te kuorumi prej 80 deputetëve, dhe nuk besoj që na duhen zgjedhje të reja për të pasur garë se a po arrijmë 80 deputetë”, tha ai.
Kryeministri ka komentuar edhe deklarimet e Osmanit për caktimin e 28 dhjetorit si datë të zgjedhjeve të kaluara. Kurti u shpreh i bindur se nuk ka pasur mundësi tjetër përveç kësaj date.
Në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, që i hap rrugë vazhdimit të seancës për zgjedhjen e kreut të shtetit, ose shkuarjes në zgjedhje të reja, po vazhdojnë qëndrimet pro dhe kundër, nga dy taborët politik, mbi legjitimitetin e dekretit të presidentes Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, një ditë pasi Kuvendi nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri.

