Në sulmin e mbrëmshëm, një raketë goditi platformën e uljes së helikopterëve në çatinë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bagdad, në një kohë kur milicitë e mbështetura nga Irani po i shtojnë sulmet e tyre.
Sipas dy zyrtarëve irakianë të sigurisë, raketa goditi platformën e uljes së helikopterëve brenda kompleksit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bagdad. Pamjet e postuara nga përdoruesit lokalë të X tregojnë tym që ngrihet mbi kompleksin e gjerë të ambasadës të shtunën në mëngjes.
Në sulm, sistemi C-RAM për mbrojtje kundër raketave dhe dronëve, i cili ndodhej në çatinë e ndërtesës së ambasadës, u godit dhe u dëmtua rëndë.
Sulmi erdhi pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se një aeroplan amerikan i furnizimit me karburant u rrëzua mbi Irakun perëndimor të enjten, duke vrarë të gjashtë anëtarët e ekuipazhit.
Zyrtarët e sigurisë i thanë Agjencisë France-Presse se raketa goditi kompleksin e ambasadës pasi kaloi nëpër Zonën e Gjelbër, një zonë shumë e fortifikuar e Bagdadit qendror ku ndodhen institucione qeveritare irakiane dhe shumë ambasada të huaja. Një burim tjetër sigurie i tha AFP-së se droni kishte në shënjestër një mision diplomatik.
Një ditë para sulmit, ambasada rilançoi një alarm sigurie të nivelit katër për Irakun lidhur me sulmet e mëparshme nga Irani dhe milicitë e tij aleate kundër qytetarëve, interesave dhe infrastrukturës amerikane, duke paralajmëruar se Irani “mund të vazhdojë t’i shënjestrojë ata”.

