Kjo gjellë me lulelakër është një vakt i lehtë dhe tepër i shijshëm i përditshëm, me fara pishe dhe rrush të thatë që bëjnë diferencën.
Materialet
Porcione: 4
- 1 lulelakër e madhe
- 1 qepë e tharë, e grirë trashë
- 50 g fara pishe
- 50 g rrush të thatë, mundësisht të zi
- gjethet nga 3-4 degë majdanozi, të grira imët
- 200 g domate të konservuara të plota, të grira, me lëngun e tyre
- 1 lugë gjelle paste domatesh
- 60 ml vaj ulliri
- kripë, piper i sapobluar
Procedura
- Për të përgatitur gjellën me lulelakër dhe rrush të thatë, vendosini rrushin e thatë në një tas të vogël me rreth 40 ml ujë dhe lërini mënjanë të zbuten derisa të jenë gati për t’u përdorur.
- Ndërkohë, në një tenxhere të thellë me ujë të valuar dhe të kripur, zieni lulelakrën për rreth 3-4 minuta, derisa të zbutet pak.
- Kullojeni dhe lëreni për rreth 4 – 5 minuta që të kullojë mirë nga lëngjet.
- Në të njëjtën tenxhere (tani bosh), ngrohni vajin e ullirit në zjarr mesatar dhe kaurdisni lulelakrën e zbardhur me qepën dhe farat e pishës për rreth 3-4 minuta, derisa të marrë ngjyrë kafe të lehtë.
- Shtoni domaten, pastën, rrushin e thatë (së bashku me ujin në të cilin janë zhytur), kripën dhe piperin dhe vazhdoni kaurdisjen për rreth 1-2 minuta, duke i përzier ngadalë me një lugë druri.
- Ulni temperaturën, shtoni 200 ml ujë, mbulojeni tenxheren me kapak dhe lëreni të ziejë ngadalë për 10 minuta, derisa salca të trashet dhe lulelakra të zbutet, pa u shkrirë.
- Shpërndani majdanozin, hiqeni, lëreni gjellën e lulelakrës me rrush të thatë të qëndrojë për rreth 10 minuta dhe shërbejeni.

