Përveç shumave qesharake që u ofron për pagesat e pensioneve mujore, me mesataren 18 mijë, një tjetër absurditet rezulton të jetë prezent në ligjin pensional.
Sipas këtij ligji, personat e dalë në pension nuk ndalohen të punojnë (në veprimtari private), por nuk lejohet të përfitojnë pagesë raporti shëndetësor, nuk përfitojnë as vite të shtuara të pensionit.
Fakti që e kthen në absurditet këtë ndalesë ligjore të mospërfitimit nga pensionistët e punësuar të pagesave të raporteve shëndetësore, si dhe mohimi i viteve të punës shtesë, vjen ndërkohë që ata paguajnë rregullisht kontributet shoqërore e shëndetësore, me pak fjalë paguajnë çdo detyrim, si të gjithë të punësuarit e padalë në pension.
Sipas shpjegimeve që japin zyrtarë të ISSH-së, të cilët i referohen ligjit në fuqi, nëse pensionistët e punësuar dëshirojnë të përfitojnë pagesën e mohuar, (të raportit shendetësor e njohjen e viteve të punës), duhet të mos marrin pagesën mujore pensionale?
P.sh. nëse një pensionist e ka mbyllur karrierën e punës me 29 vite pune (ndërsa i janë ngrënë edhe shumë të tjera vite pune nga politikat e padenja të qeverive e horllëku i pronarëve ku kanë shërbyer, që ua kanë mbajtur kontributet, por nuk i kanë derdhur), ai do ta ngrysë jetën me po këtë “kallkanosje”, pasi, e theksojmë: Edhe pas 10 viteve vijim pune, me kontribute e sigurime shoqërore të paguara, ai trajtohet si çdo pensionist i thjeshtë i papunësuar, i cili nuk shkon në punë, e harxhon kohën duke luajtur domino, bilardo, tavëll, letra etj., etj., pra që vegjeton.
Që me të drejtë merr atë që ka mbjellë ndër vitet e shkuara, pa e vijuar kontribueshmërinë shoqërore (absurdi këtu qëndron dhe në pensionet fantastike, që përfitojnë ish-zyrtarët e lartë, ministrat, deputetët, ushtarakët, ish-drejtorët, etj., kategori të privilegjuara me ligj).
Këto dy kategori pensionistësh: të punësuarit të cilët vijojnë të kontribuojnë dhe vetëm pensionistët, ISSH i trajton njësoj pasi ligji qeveritar në fuqi nuk e lejon të veprojë tjetërlloj. Defektin e ligjit, që vijon prej dekadash, e pranojnë konfidencialisht edhe vetë zyrtarët e Institutit të Sigurimeve, të cilët e vlerësojnë si “antilogjik” dhe “absurd”.
Mirëpo kaq, vetëm kaq. Thonë se praktika e mohimit të pagesës së raportit mjekësor dhe njohjes në vijimësi të viteve të punës së mohuar gjatë qenies në pension, shpresohet të vendoset në projektligjin e ri.
Pasi alternativa e zgjedhjes: ose pensionin, pa përfitimet e meritueshme të raportit shëndetësor e viteve të mohuara të punës, ose vetëm pensionin, është e palogjikshme. Për faktin se pagesa mujore e pensionit është të marrësh atë që ke mbjellë ndër vitet e ikura, ndërkohë që punësimi gjatë qënies në pension është kapitull i ri kontributiv.
Arsye kjo që e kthen mospagesën e raportit shëndetësor e mosnjohjen si shtesë të viteve të punës në pension në një lloj grabitjeje me ligj./ CNA

