Klinika e Pediatrisë ka njoftuar se pacienti 5 vjeç, i hospitalizuar aktualisht në Kujdesin Intensiv Pediatrik, sot i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.
Në njoftimin e SHSKUK-së bëhet e ditur se intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore. Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile.
“Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore”, thuhet në njoftim.
Tutje thekshhet se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ky është informacioni që aktualisht mund të ofrohet.
“Për çdo përditësim të mëtejmë lidhur me gjendjen e pacientit, mediat dhe publiku do të njoftohen në vijim vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së. Njëkohësisht, theksojmë se ekipet profesionale shëndetësore janë duke ofruar përkujdesje maksimale dhe trajtimin e nevojshëm në përputhje me protokollet mjekësore. Për këtë arsye, lusim mediat që të kenë mirëkuptim dhe të shmangin presionet për informata shtesë, kërkesa për intervista apo forma të tjera të komunikimit të drejtpërdrejtë, pasi çdo informacion zyrtar nga Klinika e Pediatrisë do të përcillet vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se u ka caktuar nga një muaj paraburgim prindërve në Lipjan për keqtrajtimin e fëmijës së tyre 5-vjeçar.
A.K. dhe V.P. dyshohet të kenë kryer veprat “Shkelje e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

