Katër të vdekur dhe një i plagosur rëndë, është bilanci i fatkeqësisë që ndodhi të martën në një kantier ndërtimi në Vjenë, si pasojë e rrëzimit të skelave. Tre nga katër të vdekurit janë shtetas të Kosovës, ka konfirmuar për RTK-Radio, Policia e Vjenës.
“Tre nga katër punëtorët e vdekur në punishten e ndërtimit janë shtetas kosovarë”, theksohet në përgjigjen me shkrim për RTK-Radio nga zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë për Marrëdhënie me Publikun në Vjenë, Philip Hasslinger.
Ai tutje ka bërë të ditur se Policia e Vjenës së bashku me Inspektoratin e Punës kanë filluar hetimet në gjitha drejtimet për të gjetur shkakun e fatkeqësisë, teksa ka dhënë detaje nga ky aksident tragjik. “Përkundër përpjekjeve të emergjencës dhe ekipeve të shpëtimit, ata u nxorën pa jetë nën gërmadha”.
“Deri te aksidenti ka ardhur gjatë betonimit të konstruksionit në kulmin e një ndërtese, i cili ishte shembur duke rënë bashkë me skelën në momentin kur pesë punëtorët ndodheshin duke punuar”, theksohet në komunikatën e policisë vjeneze për media, dërguar gjithashtu për RTK-Radio.
Ndërkohë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, ka konfirmuar se viktimat janë Pajtim Bajrami, 26 vjeç dhe Asllan Musliu 49 vjeç, kurse personi tretë sipas njoftimit, është Istref Zekaj.

