Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
“Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’, sipas nenit 391 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.
Tutje theksohet se aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit.

