Banorët e Soliterit nr. 3 në Ulpianë po ankohen për problemet e higjienës sanitare në ndërtesën e tyre. Ata thonë se në bodrum ka ujëra të zeza, ndërsa erë e rëndë përhapet në gjithë ndërtesën.
56 familje jetojnë mbi ujërat që kanë dalë në sipërfaqen e bodrumit të ndërtesës Soliteri nr. 3 në lagjen Ulpiana.
Banorët paralajmërojnë se situata paraqet rrezik serioz për shëndetin e tyre dhe mund të çojë në përhapjen e ndonjë epidemie nëse nuk ndërhyhet menjëherë.
“Në të njëjtin vend ndodhen edhe pompat e ujit, prandaj rrezikohet të infektohet edhe uji që përdorin banorët. Janë 56 banesa, pra si një fshat i tërë. Që nga viti 2017, pra tash e 10 vjet, kjo situatë vazhdon në qendër të Prishtinës” deklaron Sejdi Berisha, kryetar i Këshillit shtëpiak.
Banorët thonë se shqetësimet e tyre janë adresuar disa herë, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete për sanimin e problemit.
“Ky është problem shumëvjeçar. Këtu i kemi kërkesat dhe letrat që ia kemi drejtuar komunës, drejtorive dhe Ministrisë së Shëndetësisë, pasi ujërat e zeza krijojnë mundësinë e shfaqjes së ndonjë epidemie. Përveç kësaj, themelet e Soliterit prej vitesh janë nën ujë. Ky objekt është i destinuar të jetë mbi tokë, e jo mbi ujë” thotë Petrit Bicaj, anëtar
Drejtori i Investimeve Kapitale në Prishtinë, Sokol Havolli, tha se do të verifikojë nëse problemi është në kuadër të kompetencave të tij dhe do të angazhohet javën tjetër për të parë se ku qëndron problemi, nëse lidhet me rrjetin e jashtëm të kanalizimit.

