Nxënësit e shkollave fillore të fshatrave Gornjasellë dhe Drajçiq udhëtojnë disa kilometra për të vijuar mësimin në shkollën amë të Mushnikovës. Deri në tetor të vitit të kaluar, transportin e nxënësve e siguronte Drejtoria Komunale e Arsimit, por prej gjashtë muajsh ata udhëtojnë herë në këmbë e herë prindërit obligohen t’i dërgojnë e t’i marrin fëmijët nga shkolla për shkak të mungesës së transportit.
Nxënësja e klasës së nëntë, Maida Bajrami, bashkë me 20 fëmijë të tjerë, udhëton nga fshati Gornjesellë i Prizrenit për të vazhduar mësimin në shkollën e Mushnikovës. Ajo tregon se deri në tetor të 2025 transportin ua ka mundësuar komuna, por që prej gjashtë muajsh ai është ndërprerë. Të njëjtin problem e kanë edhe gjashtë nxënës nga fshati Drajqiq.
“Një nga vështirësitë me të cilat po përballemi ne nxënësit e Gornjesellës është transporti. Transporti është mjet thelbësor për fëmijët në çdo shkollë, kjo çështje duhet të rregullohet pasi aktualisht nuk është në nivel të duhur. Ne nxënësit e Gornjesellës po përballemi me këtë problem tash e gjashtë muaj, shpesh pasi nuk kemi transport ecim në këmbë”, tha Maida.
Prindërit e këtyre nxënësve të dy fshatrave ankohen se e kanë shumë të vështirë t’i dërgojnë e të marrin fëmijët nga shkolla, sidomos tani që ka filluar sezona e punës për ta.
“Çdokush le të hyjë në lëkurën tonë, të mendojë se si duket kur fëmija 6-vjeç pret autobusin, në zonë ku kalojnë automjete non-stop, a e kishte lënë dikush fëmijën 6-vjeç të udhëtonte 3-4 kilometra”, tha Almir Bajrami, prind.
“Ne si prindër jemi organizuar dhe kemi bërë vetë transportin prej gjashtë muajsh, por tash më nuk mundemi sepse edhe ne duhet të dalim për punë dhe nuk kemi pas ndonjë zgjidhje tjetër veçse t’i dërgojmë nxënësit në shkollën e Mushnikovës”, tha Adem Sula, banor i Drajqiqit.
Drejtori i shkollës së Mushnikovës, Sedat Bajrami, thotë se disa herë Drejtoria e Arsimit ka shpallur tenderin për transportin e këtyre nxënësve.
Fshati Drajqiq në Luginën e Lumbardhit në Prizren ka pasur shkollën deri në vitin 2009, por për shkak të një mosmarrëveshjeje objekti shkollor nuk u ndërtua.
“Mësimi është zhvilluar që nga viti 2000 deri në vitin 2009 në gjuhën shqipe. Që nga viti 2009, edhe pse është shpallur tenderi dhe komuna e ka lejuar mjetin, për shkak të një problemi politik nga ish-ministri Dalibor Jeftiq dhe një mësimdhënësi të këtij fshati, shkolla nuk u ndërtua. Shpresojmë që ky problem të zgjidhet”, tha Sedat Bajrami, drejtor i shkollës “Mushnikova”.
Për gjendjen e krijuar në këto dy fshatra pas ndërprerjes së transportit të nxënësve, RTK ka kontaktuar edhe drejtoreshën e DKA-së, Luljeta Veseli Gutaj, e cila ka thënë se në vitin e kaluar thirrja për prokurim është shpallur dy herë dhe është anuluar për shkak të operatorëve të papërgjegjshëm. Për këtë vit, për shkak të mosalokimit të buxhetit komunal, sistemi nuk lejon shpalljen e thirrjeve pa mjete.
Sidoqoftë, fëmijët e fshatit Drajqiq dhe Gornje Sello, deri në një zgjidhje, qoftë edhe të përkohshme, po sfidohen me vijueshmërinë në shkollë.

