Një i dyshuar për krime lufte është arrestuar sot nga hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale. Z.S dyshohet se si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan të komunës së Prishtinës gjatë periudhës kohore 1998-1999.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kanë arrestuar Z.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”. I pandehuri Z.S., si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës kohore 1998-1999”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale thotë se brenda afatit ligjor, sipas Kodit te Procedurës Penale, do të paraqesë në Gjykatën Themelore te Prishtinës, Departamenti Special kërkesën për paraburgim.

