Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar pas kritikave të fundit lidhur me paraqitjet e tij televizive duke pranuar se në disa raste ka folur më shumë për veten dhe idetë personale sesa për subjektin që përfaqëson.
Sadiku e cilësoi këtë kritikë si të drejtë dhe u shpreh i gatshëm ta korrigjojë qasjen e tij në të ardhmen. Ai theksoi se është ndër politikanët më të rinj në Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se ende është në proces të njohjes dhe thellimit të dijes për historinë dhe kontributin e saj.
“Ka individë dhe familje që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për LDK-në. Mua më duhet kohë për të arritur nivelin e tyre dhe për të folur me të njëjtën peshë,” u shpreh ai.
Deputeti pranoi gjithashtu mungesën e përvojës institucionale dhe parlamentare duke shtuar se shumë procese i ka njohur fillimisht përmes mediave, çka – sipas tij – e bën më të lehtë gabimin në interpretim.
Në të ardhmen, Sadiku tha se do të përqendrohet më shumë në fushat ku ka ekspertizë, si teknologjia digjitale, transformimi, ndërmarrësia, IT dhe inteligjenca artificiale, si dhe në krijimin e mundësive për të rinjtë.
Ai sqaroi gjithashtu se në paraqitjet televizive nuk ka pasur ndikim në përzgjedhjen e temave, pyetjeve apo formatit duke theksuar se ka marrë pjesë për të dhënë mendimin e tij dhe për të mbrojtur atë që beson.
Sadiku përfundoi duke theksuar se me kalimin e kohës dhe rritjen e përvojës, do të flasë më shumë edhe për LDK-në dhe çështjet që lidhen me të. /Kosovatimes/

