Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas njoftimit, i pandehuri B.J., në cilësinë e personit zyrtar dhe mbikëqyrës i projektit “Ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Vlashnje, rrugët dhe ndriçimi publik”, dyshohet se gjatë periudhës gusht 2022 deri më 16 gusht 2024, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij duke përpiluar raporte dhe situacione fiktive për realizimin e punimeve.
Prokuroria bën të ditur se në këto raporte është paraqitur se punimet janë kryer sipas kontratës, ndonëse gjendja në terren nuk përputhej me këto pretendime.
Si pasojë, Komisioni për Pranimin Teknik është vënë në lajthim dhe ka hartuar raport pranimi duke konfirmuar gabimisht se punimet janë realizuar në përputhje me kontratën, edhe pse ato nuk ishin përfunduar siç ishte paraparë.
Në bazë të këtyre raporteve, janë realizuar pagesa në favor të operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, ndonëse punimet nuk ishin kryer sipas kontratës.
Sipas aktakuzës, nga këto veprime Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 18,765 euro, ndërsa e njëjta shumë konsiderohet përfitim i kundërligjshëm për operatorët ekonomik.
Ndërkohë, i pandehuri J.B., si përfaqësues i autorizuar i këtyre operatorëve ekonomik, dyshohet se në bashkëpunim me B.J. ka shkelur procedurat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet kontraktuale, me qëllim përfitimi pasuror.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

