Saturday, August 29, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu: Kushtetuta nuk ndalon tërheqjen e kandidatit e as të nënshkrimeve

Haxhiu: Kushtetuta nuk ndalon tërheqjen e kandidatit e as të nënshkrimeve

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se çështja e presidentit zgjidhet vetëm me vullnet. Ajo theksoi se rruga për të arritur te zgjidhja gjendet sapo të ketë vullnet.

“Në këtë drejtim, as Kushtetuta, as ndonjë ligj, as Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh situata që të ndalojnë tërheqjen e kandidatit ose të nënshkrimeve. Nganjëherë shoh edhe qëndrime të subjekteve politike që sugjerojnë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Më falni, por qytetarët më 28 dhjetor kanë votuar – për çfarë arsye vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje? Kushdo që pret një rezultat tjetër, mendoj që gabon”, tha Haxhiu, duke bërë një apel për opozitën që të ketë një qasje konstruktive në këtë temë.

Ajo ripërsëriti se seancën e 5 marsit nuk e ka përmbyllur, por vetëm e ka ndërprerë, dhe shtoi se pret që takimet të vazhdojnë.

“Unë pres që të ketë kërkesa dhe ftesa për takime nga kryetari i LVV-së dhe kryeministri për subjektet politike. Siç u njoftova, kryeministri ka bërë të qartë se do të vazhdojë me ftesa. Uroj që këto takime të çojnë te një zgjidhje për çështjen e presidentit. Është e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse kemi humbur shumë dhe kemi shumë punë për të bërë. Ftoj të gjitha palët që të jenë serioze në qëndrimet që mbajnë në këto takime dhe në raport me situatën aktuale”, tha kryeparlamentarja.

Haxhiu, në lidhje me Kryesinë, shprehu keqardhjen për rastin e ekspozitës që u hoq nga sheshi për shkak të reagimeve të shumta mbi përmbajtjen e saj.

“Na vjen shumë keq për të gjitha familjet dhe palët që janë prekur më së shumti, dhe sidomos për qytetarët e Republikës. Pas këtij rasti, Kryesia e Kuvendit do të ndërmarrë hapa për ndryshimin e Rregullores ekzistuese, me qëllim të formimit të komisioneve të posaçme profesionale që të vlerësojnë kërkesa të tilla”, tha ajo.

Ajo theksoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e ka organizuar ekspozitën.

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999” ishte mbështetur nga Kryesia e Kuvendit dhe, siç tha Haxhiu, përveç përfaqësuesve të Listës Serbe, të gjithë anëtarët e tjerë votuan në favor të këtij vendimi.

“Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të paraqitur atëherë dhe nuk ka pasur asnjë indikacion për pasaktësi. Njëkohësisht, duhet theksuar se verifikimi i të dhënave nuk bie mbi kompetencat e drejtpërdrejta të Kuvendit të Republikës ose të Kryesisë”, tha Haxhiu.

Haxhiu gjithashtu shtoi se autorët e ekspozitës tashmë kanë kërkuar falje për këtë çështje.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram