Ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç falënderoi ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në një bisedë telefonike sot për letrën e mbështetjes miqësore të dërguar ndërsa ai ishte në njësinë e kujdesit intensiv të Qendrës Klinike të Serbisë.Daçiç deklaroi se fjalët mbështetëse të Lavrovit dhe bindja e fortë se në momente të vështira, energjia e pashtershme dhe forca shpirtërore do ta ndihmonin të kapërcente sëmundjen dhe të kthehej në radhët e patriotëve të vërtetë të vendit të tij, ishin një inkurajim i madh në shërimin e tij.
“Miqtë e mëdhenj shprehën besimin e tyre të fortë se do të takohen në rastin e parë”, tha Ministria e Punëve të Brendshme serbe në një deklaratë.
Shtohet se në bisedën me Lavrovin, Daçiç theksoi angazhimin e përbashkët ndaj politikës së ndjekur nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Kreu i Shtetit rus Vladimir Putin, me qëllim zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.Daçiç dhe Lavrov shprehën kënaqësinë për marrëveshjen e arritur në fushën e energjisë.
Lavrov përsëriti qëndrimin parimor të Rusisë në lidhje me ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, duke deklaruar se pala ruse do të mbështesë zgjidhjen e çështjes së Kosovës në përputhje me interesat e Beogradit dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Daçiç falënderoi Rusinë për bashkëpunimin e saj në fushën e punëve të brendshme dhe situatave të jashtëzakonshme dhe shprehu besimin e tij se ai do të jetë edhe më i suksesshëm, bazuar në themelet e partneritetit strategjik, miqësisë shekullore, afërsisë së popujve vëllezër, bashkëpunimit të zhvilluar në të gjitha fushat, si dhe mbështetjes dhe mirëkuptimit të fortë reciprok.

