Në ambientet e RTK2 është mbajtur një ceremoni solemne me rastin e pranimit të donacionit nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), në formë të pajisjeve me vlerë prej rreth 130 mijë eurosh, të destinuara për avancimin e kapaciteteve teknike dhe prodhuese të këtij kanali.
Ky donacion për RTK2 përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kanalit të dytë të RTK-së dhe njëkohësisht konfirmon bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, tha se kjo mbështetje tejkalon aspektin teknik.
“Ky donacion është shumë më tepër se mbështetje teknike, është një shprehje e qartë e besimit në institucionin tonë, në shërbimin publik dhe në përkushtimin tonë për të raportuar në mënyrë profesionale, të paanshme dhe cilësore për të gjitha komunitetet në Kosovë, në gjuhë të ndryshme”, u shpreh Hundozi.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Japoninë nuk kufizohet vetëm në donacione pajisjesh, por përfshin edhe mbështetje të vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve profesionale.
Diplomati japonez Tanigaki vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke theksuar se përmes JICA-s janë dhuruar pajisje të ndryshme televizive, si kamera dhe mjete audiovizuale, për të mbështetur RTK2 si kanal në gjuhën serbe.
Ai shtoi se ky bashkëpunim do të ndihmojë në promovimin e integrimit shoqëror të komuniteteve përmes programeve televizive, duke theksuar edhe rolin e rëndësishëm të fondacionit NHK në ngritjen e kapaciteteve të stafit të RTK-së.
Menaxheri i projektit të bashkëpunimit JICA–RTK, Yamamoto Hiroshi, u shpreh se lidhja ndërmjet partnerëve është më shumë se bashkëpunim formal.
“Ne nuk jemi vetëm miq, por edhe familje. Bashkëpunimi ynë me JICA-n dhe mbështetja e vazhdueshme e qeverisë japoneze janë baza që na shtyjnë gjithmonë përpara”, tha ai.
Drejtori i RTK TV-së, Rilind Gërvalla, e cilësoi këtë donacion si transformues për RTK2 dhe shumë të rëndësishëm për peizazhin mediatik në vend.
Ai shtoi se kjo mbështetje do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet kanaleve të RTK-së dhe përgëzoi drejtoreshën e RTK2, Aleksandra Jovanoviq, për energjinë e re dhe bashkëpunimin e sinqertë që ka sjellë në këtë kanal.
Nga ana e saj, drejtoresha e RTK2, Aleksandra Jovanoviq, theksoi se bashkëpunimi me JICA-n ka vite që vazhdon dhe përbën një shembull të mirë të kontributit të partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin e medias dhe forcimin e vlerave demokratike.
“Aktualisht, edhe pse përballemi me sfida të mëdha, RTK2 do të vazhdojë të jetë urë lidhëse mes komuniteteve dhe një platformë e besueshme për dialog të hapur dhe konstruktiv qytetar. Ky donacion nuk është vetëm pajisje, është simbol i partneritetit, punës së përbashkët dhe përkushtimit për zhvillimin e shërbimit publik në Kosovë”, tha Jovanoviq.
Donacioni i JICA-s rikonfirmon rëndësinë e investimeve në zhvillimin e shërbimit publik në Kosovë. Me pajisjet e reja dhe mbështetjen e vazhdueshme profesionale, RTK2 pritet të rrisë cilësinë e programit dhe të mbetet një burim i besueshëm informacioni për të gjitha komunitetet.

