Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka sqaruar lidhur me raportimet se është hedhur kallëzimi penal ndaj F.P., duke theksuar se ky rast nuk ka lidhje me hetimet për keqpërdorim të granteve në sektorin e bujqësisë.
Faton Peci mëngjesin e sotëm, ka ndarë lajmin se Prokuroria ka hedhur poshtë kallzimin penal të LDK-së, kundër tij për grantet në bujqësi, që lidhet me kohën sa ai ishte ministër i bujqësisë.
Kurse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka sqaruar se rasti në fjalë ka të bëjë me një kallëzim penal të paraqitur nga subjekti politik LDK, i cili ndërlidhet me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovëss.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se rasti për të cilin po raportohet se është hedhur kallëzimi penal ndaj F.P. nuk ka lidhje me hetimet që janë duke u zhvilluar për dyshimet e keqpërdorimit të granteve në sektorin e bujqësisë.
Rasti në fjalë lidhet me një kallëzim penal të paraqitur nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili ka të bëjë me ushtrimin e dy funksioneve në Kuvend dhe Qeverinë e Kosovës,” thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale thekson se mbetet e përkushtuar për të informuar opinionin publik në mënyrë të saktë dhe transparente, duke respektuar parimet e transparencës dhe duke ruajtur integritetin e të gjitha procedurave hetimore.

