Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës së mallrave në jug të vendit, duke ndaluar një automjet me targa të Serbisë që kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës dhe duke sekuestruar 275 pajisje elektronike për avullim (vape) pa dokumentacion përcjellës.
Policia e Kosovës, respektivisht njësitë policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Jugu, gjatë punës së tyre operative kanë arritur të identifikojnë një automjet të dyshuar me targa të Serbisë, i cili kishte hyrë në mënyrë ilegale nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës.
Automjeti i dyshuar, me drejtues të dyshuarin shtetas të Serbisë, është ndaluar nga njësitë policore në magjistralen Bujanoc–Gjilan, ku gjatë kontrollit të tij janë gjetur mallra të kontrabanduara – VEP (pajisje elektronike për avullim, të njohura si cigare elektronike/vape) si në vijim:
CROWN Bar – 10 × 5 pako = 50 copë
VOZOL – 12 × 10 pako = 120 copë
AIRMEZ Fox – 10 × 10 pako = 100 copë
VOZOL – 5 × 1 = 5 copë
Sasia e përgjithshme e mallrave të gjetura, për të cilat i dyshuari nuk posedonte asnjë dokument përcjellës, llogaritet gjithsej 275 copë.
Lidhur me këtë është inicuar rast kontrabandim me mallra, ndërsa malli i sekuestruar nga njësitë përkatëse policore i procedohet doganës për procedurat e mëtejme.
Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme, duke riafirmuar vendosmërinë për të vepruar me efikasitet në parandalimin dhe luftimin e tyre.

