Në meshën kushtuar Don Kelmend Spaqit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar jetën dhe veprën e tij, duke e përshkruar atë si një figurë që “në momentet më të vështira të historisë sonë u bë muri mbrojtës për jetën dhe dinjitetin njerëzor”.
Ajo ka thënë se veprimtaria e tij është dëshmi e përkushtimit të plotë ndaj njeriut, besimit dhe atdheut, ndërsa theksoi se për 33 vite meshtarie ai shërbeu si “udhërrëfyes në kohë paqartësie, mbështetje në kohë frike dhe zë i qëndrueshëm i së vërtetës”.
Haxhiu ka kujtuar rolin e tij gjatë luftës së vitit 1999, duke theksuar se në Gllogjan të Pejës ai hapi dyert e kishës “Shna Ndou”, e njohur si “Kisha e Shpresës”, ku strehoi qindra qytetarë të dëbuar me dhunë. Sipas saj, aty ai ndihmoi edhe të plagosurit dhe nënat me foshnjat e tyre.
Duke iu referuar një ngjarjeje të 4 prillit 1999, Haxhiu tha se, kur u përball me forcat serbe që kërkuan ndarjen e komuniteteve, Don Kelmendi kishte deklaruar: “këtu nuk ka as katolikë dhe as myslimanë, por ka vetëm civilë të pambrojtur”. Ajo e cilësoi këtë qëndrim si shprehje të guximit dhe të një të vërtete themelore: “para se të jemi të ndryshëm, jemi njerëz dhe jemi të një vendi”.
Në fjalën e saj, Haxhiu përmendi edhe bashkëjetesën ndërfetare që, sipas saj, Don Kelmendi e praktikoi në mënyrë konkrete, duke theksuar se “përdorimi i kambanave të kishës për të lajmëruar iftarin dhe syfyrin” ishte një mesazh i qartë për respekt dhe unitet.
Ajo shtoi se “dinjiteti njerëzor dhe respekti ndërfetar janë më të forta se çdo përpjekje për përçarje”, duke nënvizuar se përçarja ishte synim i regjimit të atëhershëm.
Haxhiu e përshkroi Don Kelmend Spaqin si “njeri i thjeshtë në sjellje, por i madh në vepra”, duke theksuar se ai ishte gjithmonë pranë njerëzve dhe i gatshëm të ndihmojë pa kërkuar asgjë në këmbim.
Në fund, ajo ka theksuar se ndarja e tij nga jeta në një ditë simbolike i jep një kuptim të veçantë jetës së tij, duke shtuar: “Jeta e tij u sos pikërisht aty ku kishte nisur thirrja: në shërbim”.
Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, Haxhiu shprehu mirënjohjen për jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se “Don Kelmendi na e la këtë trashëgimi të cilën ne e kemi përgjegjësi: ta ruajmë dhe t’i përcjellim tutje vlerat që ai mishëroi”.
Ajo përfundoi duke shprehur ngushëllime për familjen Spaqi, Kishën Katolike dhe të gjithë ata që e njohën, duke deklaruar: “I përjetshëm qoftë kujtimi për Don Kelmend Spaqin”.

