Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, së bashku me anëtarët Visar Krasniqi dhe Margarita Gjocaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi, Gashi e njoftoi ambasadorin Rudolph për zgjedhjen e tij në krye të KPK-së, si dhe për përbërjen e re të këtij institucioni. Ai theksoi se prioritetet kryesore mbeten rritja e transparencës dhe llogaridhënies, forcimi i integritetit institucional dhe avancimi i sistemit prokurorial në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
Me këtë rast, Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë, veçanërisht ndaj sistemit prokurorial. Ai vlerësoi kontributin e Ambasada Gjermane në Kosovë përmes projekteve të realizuara në bashkëpunim me GIZ dhe IRZ.
Sipas tij, këto projekte kanë ndikuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e integritetit të prokurorëve, duke përfshirë trajnime të specializuara në fusha kyçe si hetimet penale, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Nga ana e tij, ambasadori Rudolph rikonfirmoi gatishmërinë e Gjermanisë për të vazhduar mbështetjen ndaj KPK-së dhe sistemit prokurorial, duke theksuar rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërinstitucional”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të ardhmen, me fokus në projekte konkrete që synojnë rritjen e efikasitetit, transparencës dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

