Një person ka ndërruar jetë pas një rasti të rëndë të të shtënave me armë zjarri që ka ndodhur më 10 prill 2026 në Ferizaj rreth orës 22:00, ku fillimisht janë raportuar dy të plagosur.
Sipas të dhënave zyrtare, V. K. (32-vjeçar), shtetas kosovar, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri ndaj të dashurës së tij, L. U. (24-vjeçare), duke e plagosur atë, dhe më pas ka plagosur edhe veten.
Të dy personat janë dërguar për trajtim mjekësor fillimisht në Emergjencën e Ferizajt, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Sipas njoftimit nga QKUK, më 11 prill 2026, rreth orës 04:05, V. K. ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga vetëplagosja. Ndërkohë, L. U. po vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një armë zjarri me një karikator me gjashtë fishekë, si dhe tri gëzhoja të shkrepura.
Rasti fillimisht është cilësuar si “vrasje në tentativë”, ndërsa mbetet nën hetime nga organet e drejtësisë për sqarimin e plotë të rrethanave.

