Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, sot në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ku po bëhet shënimi i Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës “Ma kthe dritën”, tha se ende kemi mungesë të drejtësisë për autorët e krimeve të dhunës seksuale të luftës.
“Sot qëndrimi para jush nuk është i lehtë, sepse po flasim për plagë që nuk shihen, por që mbajnë mbisupe historinë e një shteti të tërë. Sot ju drejtohemi ju, grave dhe burrave që i keni mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo që keni përjetuar është një e vërtetë që duhet të them, nga që ajo që ju ndodhi nuk ishte rastësi, por një strategji e qëllimshme e përdorur si armë nga regjimi serb për të poshtëruar dhe thyer dinjitetin e popullit tonë. Dhe për shumë vite, të dashur vëllezër e motra, jetuat në heshtje, heshtje që nuk ishte zgjidhje, por detyrim. Heshtje që u imponuan nga frika, nga stigma dhe nga mungesa e mbështetjes. Dhe kjo heshtje për më shumë prej jush ishte vazhdim i dhimbjes”, tha ajo.
Sipas saj, shteti i Kosovës u rreshtua për krahë tyrën, por mbi të gjitha u thye heshtja dhe u dërgua një mesazh i qartë, se kjo plagë nuk do të fshihet më, por do të trajtohet me dinjitet dhe guxim, duke shtuar se kjo heshtje u thye publikisht nga guximi i Vasfije Krasniqi-Godman, e cila me rafinimin e saj i dha zë mijëra të mbijetuarave dhe hapi rrugë që edhe të tjerë të kërkojnë hapur drejtësi.
“E në këtë çështje janë ndërmarrë hapa edhe nga qeveritë e mëvonshme. Janë zgjatur afatet, janë vazhduar mandatet dhe janë hartuar strategji, por po aqë e vërtetë është se drejtësia ende nuk ka arritur aty ku duhet. Sepse edhe sot ne përballim me probleme që nuk guxojnë të ekzistojnë. Ende funksionojnë me afate për aplikim për njohje të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Ende ka të mbijetuar që detyrohen të luftojnë individualisht për të drejtat e tyre, përfshirë edhe çështjen e pensionit të dyfishtë. Dhe mbi të gjitha, ende kemi mungesë të drejtësisë për autorët e këtyre krimeve. Kjo nuk është vetëm mungesë progresi, kjo është padrejtësi që vazhdon. Sepse padrejtësia për këto krime nuk është vetëm çështje ligjore, është çështje dinjiteti njerëzore, është çështje e besimit që qytetarët kanë në shtetin e tyre. Dhe pa këtë drejtësi plagët mbeten të hapura”, tha ajo.

