Në mungesë kuorumi, ka dështuar mbledhja e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Komisionit të Pavarur për Media.
“Kjo mbledhje është thirrur për të trajtuar listat e atyre të cilët kanë konkurruar në këtë konkurs, por që për shkak të mungesës së kuorumit dhe mungesës së përfaqësuesve të partive të tjera politike, kjo mbledhje nuk mund të vazhdojë”, tha gjatë mbledhjes, kryesuesi i këtij komisioni, Alban Bajrami.
Ai tha se do të njoftohen palët se kur do të mbahet mbledhja e radhës, teksa potencoi se në mbledhje munguan anëtarët e komisionit nga partitë opozitare.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtarët e saj të komisionit të gjithë kanë marrë pjesë. Mungojnë anëtarët e partive opozitare, të cilat kanë refuzuar siç duket të jenë pjesë e kësaj mbledhje”, tha Bajrami.

