Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përkatësisht KIESA, ka njoftuar organizimin e një sesioni informues për Skemën e Granteve për Arsim Dual, i dedikuar ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, sesioni do të mbahet më 17 prill 2026, duke filluar nga ora 10:00, në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universiteti i Prishtinës, në Prishtinë.
“Gjatë sesionit informues, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të informohen në mënyrë të detajuar për procesin e aplikimit, duke përfshirë procedurat, kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacionin e nevojshëm”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bizneset pjesëmarrëse do të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të marrin sqarime të drejtpërdrejta lidhur me Skemën e Granteve për Arsim Dual.
Organizatorët kanë ftuar të gjitha ndërmarrjet e interesuara që të marrin pjesë në këtë sesion informues.

