Thursday, April 16, 2026
HomeLajmeKosovëÇdo deputet një asistent, kryetarët e komisioneve parlamentare dy asistentë

Çdo deputet një asistent, kryetarët e komisioneve parlamentare dy asistentë

Kuvendi i Kosovës ka të punësuar 136 asistentë politikë; secili deputet ka nga një asistent, ndërsa kryetarët e 16 komisioneve parlamentare kanë nga dy asistentë.

Në administratë, ky institucion ka 152 të punësuar dhe ka nevojë edhe për tetë pozita të tjera, të cilat nuk janë plotësuar për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Disa deputetë kanë kërkuar që të ulet numri i asistentëve politikë, në mënyrë që me të njëjtat mjete financiare të hapen pozita të tjera aty ku Kuvendi ka nevojë.

“Deputetët të gjithë e kanë nga një asistent, kryetarët e komisioneve e kanë edhe nga një tjetër. Kjo është e tepërt. A do të ishte më mirë që, me kornizën afatmesme, të rekrutohet numri i asistentëve dhe të shtohen në administratë”, tha Valon Hoti, anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet.
“Unë po pajtohem me ju se kjo është e panevojshme, por kështu e thotë Rregullorja e Kuvendit. Megjithatë, kjo edhe mund të ndryshohet”, tha Xheladin Hoxha, zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Kuvendit.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet u diskutua edhe mungesa e zyrave për deputetët, ku nga sekretari i Kuvendit u kërkua të gjendet një zgjidhje.
“Ju e dini që deputetëve u takojnë zyrat, por asnjëherë nuk i kanë pasur. 26 vjet pas luftës, deputetët t’i mbajnë takimet në kafiteri është e papranueshme. A është menduar të fillohet me sistemimin e deputetëve në objektet e Kuvendit apo edhe në objektet përreth?”, tha Kujtim Gashi, nënkryetar i Komisionit për Buxhet.

“Ne jemi interesuar për objektin në fjalë, i cili është përballë Agjencisë Evropiane, mirëpo në administratë kanë thënë se ka marrëveshje me Komisionin Evropian dhe ne nuk kemi mundur të zhvillojmë më shumë negociata me ta”, tha Emrush Haxhiu, drejtor i Administratës në Kuvendin e Kosovës. 

Raporti i shpenzimeve i Kuvendit të Kosovës për vitin 2025 nuk u miratua për shkak të problemeve teknike në shtypjen e tekstit. Megjithatë, disa deputetë ngritën shqetësime se vlerat e shpenzimeve janë të njëjta me ato të vitit 2024, ndonëse gjatë vitit 2025 Kuvendi nuk ka qenë aktiv.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments